Një aksident tragjik ka ndodhur pak pas mesnate në FushëKrujë-Milot, ku kanë vdekur 4 persona.

Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, kanë humbur jetën shoferët dhe dy pasagjerët që ndodheshin në secilin prej mjeteve.

Viktimat janë shtetasit Artan Alushi 30-vjeç, Alfred Dika 39 vjeç, Shkumbin Brati 20-vjeç, Almenia Karaj 16 vjeç.

Nga aksidenti ka mbetur e plagosur dhe një grua, e cila sipas policisë është jashtë rrezikut për jetën, në spital.

Në pamjet e siguruara nga Fax News, në anë të rrugës shihen vetëm mbetje nga mjetet e përplasura.

Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e madhe, dhe manovra e gabuar e njërit prej mjeteve.

Aksi ku ka ndodhur aksidenti i sotëm, është një nga më problematikët, pasi siç edhe shihet në foton e mëposhtme, në të njëjtin vend ka ndodhur një tjetër aksident i katërfishtë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 00:15, në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot, një automjet me drejtues shtetasin A. D., 39 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. A., 30 vjeç.

Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerët, shtetasit Sh. B., 20 vjeç, dhe A. K.,16 vjeçe, që ndodheshin në automjetin që drejtonte shtetasi A. A.

Gjithashtu, është dëmtuar shtetasja R. H., 34 vjeçe, pasagjere në automjetin që drejtonte shtetasi A.A., e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re