Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje rezolutën në mbështetje të Kosovës me 101 vota pro dhe 1 abstenim.

Nga 106 deputetë që ishin të pranishëm, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku abstenoi, ndërsa 4 deputetë të Lulzim Bashës nuk votuan. Ata janë Arbi Agalliu, Eralda Bane, Orjola Pampuri, Enkelejd Alibeaj. Në rezolutë nuk u pranuan 3 amendamentet që propozoi Çollaku.

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Kuvend, pasi u thirr nga opozita për një interpelancë për çështjen e Kosovës. Ai mbajti një fjalim të gjatë, duke iu përgjigjur të gjitha akuzave në drejtim të tij.

PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia Socialiste u dakordësuan të mërkurën e 11 tetorit në minutën e fundit për të miratuar një rezolutë të përbashkët, e cila e mbështet pa rezerva atë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës menjëherë pas sulmit të 24 shtatorit. Por nga ana tjetër, PDja e Lulzim Bashës nuk ra dakord me këtë projektrezolutë, duke kërkuar që ajo të pasurohej me 3 amendamente të propozuara prej saj.

PD-ja kërkonte që 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian të hedhin hapin për njohjen e Kosovës, të hiqen masat shtrënguese ndaj Kosovës si dhe të vendosen masa ndëshkuese për Serbinë. Rezoluta e Parlamentit shqiptar dënon sulmin me armë në Banjskë të Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku mbeti i vrarë një efektiv i Policisë së Kosovës.

Rezoluta në mbështetje të Kosovës u votua teksa deputetë të opozitës ishin mbledhur në foltoren e Parlamentit. Shumica dhe opozita ranë dakord për një rezolutë të përbashkët në mbështetje të Kosovës. Rezoluta thekson rëndësinë e mbrojtjes së interesave të përbashkëta dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa parashtrohen tri pika.

Në këto tri pika kërkohet hetim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit, si dhe për faktin që qeveria e Kosovës të punojë me aleatët ndërkombëtarë. Në rezolutë thuhet se Kuvendi është thellësisht i shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit. Parlamenti i Shqipërisë mbështet plotësisht rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 28 shtator, ku përgjegjëse për këtë ngjarje bëhet Republika e Serbisë.

“Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që në të gjitha instancat ndërkombëtare, sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”, – thuhet në rezolutë. Pika e tretë e rezolutës inkurajon Qeverinë e Kosovës që së bashku me faktorin ndërkombëtar t’i bashkohet procesit për arritjen finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re