Skip to content

EMRAT/ Pjesë e një grupi të organizuar të shitjes së hashashit, ‘Prova’ prangos 3 persona pas tetë muajsh hetime dhe përgjime

Një grup i dedikuar shpërndarjes së drogës në qytetin e Kuçovës është goditur nga Policia e Beratit gjatë orëve të fundit.

Tetë muaj hetime u finalizuan sot me aksionin e koduar “Prova” dhe 3 arrestime.

Në pranga ranë të dyshuarit Llazar Ndreu, 33 vjeç, Luis Marra, 24 vjeç dhe Dorin Doko, 26 vjeç. Të tre dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti që siguronte dhe shiste doza të kanabis sativës.

Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit.

“Si rezultat i hetimit të ndjekur për tetë muaj, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Beratit, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, për Ll. N., 33 vjeç, L. M., 24 vjeç dhe D. D., 26 vjeç, të tre banues në Kuçovë”, bëri me dije policia vendore.

Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se të dyshuarit, pjesë e një grupi të organizuar, siguronin lëndë narkotike hashash, e ndanin në doza dhe më pas e shisnin në Kuçovë.