Dy persona u arrestuan këtë të enjte në Lezhë, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “RUGANTINO”, me qëlim ekstradimin drejt Italisë.

Shtetasit Tonin Kameri (alias Aleks Ionescu) dhe Pavlin Bregaj (alias Pavlin Tuku) ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Brescia-s në Itali, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Gjithashtu, është shoqëruar në Polici, shtetasi Dritan Marku (alias Dritan Kameri), kushëriri i shtetasit Tonin Kameri (alias Aleks Ionescu), pasi ka lejuar që t’i përdorë identitetin për t’iu shmangur policisë italiane.

Nga veprimet hetimore të kryera në Itali, dyshohet se ata, së bashku me 7 shtetas të tjerë të arrestuar tashmë nga policia e Italisë, janë pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e kokainës, organizatë me veprimtari në Itali. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Policia e Italisë ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 7 kg lëndë narkotike kokainë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re