Bulqiza u trondit nga të shtënat me armë zjarri mesditën e sotme. Policia ka identifikuar autorin, Besmir Zeneli, i cili është shpallur në kërkim pasi ka goditur mjetin tip “Land Rover” e më pas ka qëlluar me armë.

Me automjet po lëviznin kushërinjtë e identifikuar si Shaqir dhe Erlind Tollja dhe ngjarja dyshohet të jetë për konflikte të mëparshme mes palëve.

Njoftimi i policisë: Qëlloi me armë drejt një mjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim  autorin e  dyshuar të ngjarjes. Vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Rreth orës 14.30, në një segment të rrugës së Arbrit, Bulqizë, shtetasi B.Z, duke drejtuar automjetin e tij në lëvizje e sipër ka parakaluar dhe më pas  goditur automjetin tip ‘Land Rover’, ku lëviznin shtetasit E. T., dhe Sh. T., (kushërinj) dhe më pas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt  automjetit.

Nga të shtënat nuk ka patur persona të lënduar. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur  për konflikte të tyre të mëparshme. Deri tani shërbimet e policisë kanë berë të mundur gjetjen e automjetit të përdorur nga shtetasi B. Z. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re