Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Elvis Dervishi, shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë dhe ish-oficeri i policisë, Erdit Hazizaj, janë katër efektivët ndaj të cilëve GJKKO ka lëshuar urdhër arreste.
Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, raportohet se akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.
Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.
Alisinanaj u shkarkua në vitin 2022 nga Drejtori i Policisë së Shtetit të asaj kohe Gledis Nano, pas ngjarjes tragjike, ku polici Arjan Tase përplasi për vdekje një 7-vjeçare në plazhin e Potamit në Himarë.
Nano në atë kohë njoftoi shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.
Erdit Hazizaj është tjetër person i arrestuar, i cili ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale. Hazizaj ka qenë kandidat për kryetar Bashkie në Roskovec, nën siglën e PD.
Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.
LEXO EDHE: Operacioni i SPAK, urdhërarrest dhe për kandidatin e PD për Bashkinë Roskovec në zgjedhjet e 2023! Ja për çfarë akuzohet Erdit Hazizaj