Policia e Tiranës u ka sekuestruar një pasuri rreth 150 mijë euro dy vëllezërve Arjel dhe Oltjon Legisi, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale, trafikim të rriturish dhe prostitucion.

Nga të dhënat e marra shtetasi Arjel Legisi,  është arrestuar në Spanjë në 2018 pasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, e kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasi Oltjon Legisi, është nën hetim nga autoritetet Spanjolle për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzim i prostitucionit”.

Njoftimi i policisë: 

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 150.000 euro, në ngarkim të dy vëllezërve me precedent penal në fushën e krimeve ndaj jetës.

Në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u bë ekzekutimi i vendimit të prokurorit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasve: A. L. 30 vjeç, dhe O. L, 30 vjeç, vëllezër), me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj jetës.

Nga të dhënat e marra shtetasi A. L,  është arrestuar në Spanjë në 2018 pasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, e kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasi O. L, është nën hetim nga autoritetet Spanjolle për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur dhe “Shfrytëzim i prostitucionit”.

Gjithashtu, në zbatim të këtij procedimi si dhe vendimit të Prokurorit  u bë sekuestrimi i pasurive të shtetasve të lartpërmendur dhe familjarëve të tyre që arrijnë vlerën 150.000 euro.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re