Vincens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka janë autorët e dyshuar të atentatit ndaj 54-vjeçarit Agron Puka, mëngjesin e djeshëm (6 mars).

Shënjestra sapo kishte dërguar fëmijët në shkollë, kur tre të rinjtë kanë tentuar të ndalojnë automjetin ku udhëtonte Agron Puka dhe më pas kanë qëlluar drejt tij me armë zjarri.

Mësohet se 54-vjeçari, i cili mbeti i plagosur, gjithashtu ka qëlluar drejt 3 të rinjve me pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën.

Vincens Tuku, 32 vjeç, banues në fshatin Tale, Amarildo Kola, 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe Kevin Ndoka, 18 vjeç, banues në Shëngjin janë shpallur në kërkim nga policia dhe akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjithashtu është arrestuar edhe 54 vjeçari, Agron Puka banues në fshatin Rrilë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  Pistoleta e tij është gjetur dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, bashkë me municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Zbardhet plagosja e shtetasit A. P., kryer mëngjesin e djeshëm, në fshatin Rrilë.

Identifikohen 3 shtetasit që qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit të 54-vjeçarit dhe punohet intensivisht për kapjen e tyre.

Vihet në pranga 54-vjeçari, pasi nga hetimet rezultoi se dhe ai ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje.

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që përdori shtetasi A. P..

Si rezultat i hetimeve profesionale, administrimit të menjëhershëm të pamjeve nga kamerat dhe veprimeve të tjera në vendngjarje, të kryera menjëherë pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit A. P., rreth orës 08:00 të datës 06.03.2024, në fshatin Rrilë, Lezhë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.

Për rastin u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasit V. T., 32 vjeç, banues në fshatin Tale, A. K., 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe K. N., 18 vjeç banues në Shëngjin.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, kanë tentuar të ndalojnë automjetin me të cilin lëvizte shtetasi A. P. dhe më pas kanë qëlluar drejt këtij automjeti, me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi nga hetimet rezultoi se ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën.

Pistoleta e shtetasit A. P. u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, bashkë me municion luftarak.

Ndërkaq, punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e 3 të shpallurve në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re