Autoritetet shqiptare kanë bërë të mundur ekstradimin e disa shtetasve shqiptarë të dënuar për vepra të ndryshme penale. Njoftohet se janë ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë tre persona, teksa dy të tjerë u ekstraduan nga nga Shqipëria në Itali.

-Konkretisht, u ekstraduan nga Greqia në Shqipëri, shtetasit:

Arjan Shehu, i dënuar nga GjKKO-ja, me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Gjatë periudhës 2016-2018, ka drejtuar një grup kriminal që pajiste kundrejt pagesave, shtetas të ndryshëm, me pasaporta europiane false, që ata të hynin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar dhe/ose në Kanada;
Shpëtim Abdullai, 52 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Elbasanit, me 1 vit burgim, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Në vitin 2013, duke shpërdoruar detyrën si punonjës i shërbimeve teknike, në IEVP Kosovë, Lushnjë, ka falsifikuar fatura për riparimin e disa automjeteve të Policisë së burgjeve;
P. K., 32 vjeç, të cilit Gjykata e Gjirokastrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. Më datë 17.07.2022, në bashkëpunim me shtetasin K. P., dyshohet se ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin L. D.

Po ashtu, u ekstraduan nga Shqipëria në Itali, Pirro Kotroçi, Ardian Sufaj alias Pllumb Sufaj dhe Artur Ademi alias Artur Liçaj.

A. S. alias P. S., 40 vjeç, të cilit Gjykata e Apelit e Triestes i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale, si dhe “Pengmarrja”. Gjatë periudhës 2022-2023, organizata kriminale ku bënte pjesë 40-vjeçari, dyshohet se ka trafikuar rreth 100 kg lëndë narkotike kokainë, nga Ekuadori, me qellim shitjen në Itali. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se për shkak se kësaj organizate i ishte vjedhur një sasi lënde narkotike kokainë, 40-vjeçari në bashkëpunim me të tjerë, kanë marrë peng një shtetas, duke e kërcënuar me armë, për t’iu dhënë informacion mbi vjedhjen e lëndës narkotike;
A. A. alias A. L., 56 vjeç, të cilit Gjykata e Leçes i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e grupit kriminal. Gjatë periudhës 2018-2019, ka drejtuar një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kokainë, nga Holanda në Itali dhe nga Shqipëria në Itali.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re