Janë zbardhur emrat e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm që do ngrihet për raportin e Dick Marty.

Nga mazhoranca anëtarë do të jenë Ulsi Manja, Klotilda Bushka, Adnor Shameti, Alket Hyseni, Ermonela Felaj.

Ndërsa nga opozita parlamentare anëtarë janë Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi, Elena Xhina, raporton Euronews.

Komisioni do të drejtohet nga Ulsi Manja dhe nesër në seancë plenare do të miratohen emrat e 9 anëtarëve.

Më datën 26 nëntor Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim kërkesën e shumicës socialiste për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do hetojë raportin e ish-eurodeputetit Dick Marty mbi Kosovën.

Kështu, Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të hetojë raportin e Dick Marty, në të cilin theksohet se gjatë luftës së UÇK-së janë kryer krime kundër njerëzimit.

Mes tjerash, Dick Marty në raportin e tij përmend të ashtuquajturën “Shtëpinë e Verdhë” në qarkun e Matit, e cila sipas tij është përdorur për të kryer transplantim organesh.

Ky komision u ngrit disa javë pasi në Gjykatën e Hagës janë dërguar me akuza për krime lufte ish-udhëheqës të UÇK-së.

Ndërkohë në Shqipëri ka pasur debate dhe sulme publike ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me angazhimin e tij në kohën e luftës si këshilltar ligjor në misionin e OKB-së, UMNIK, që u mor me faktimin e krimeve serbe në Mitrovicë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re