3 persona kanë rënë në pranga pasi kanë përshtatur një vilë 3 katëshe në “shtëpi bari” në Fier. Të arrestuar janë pronari i vilës, Erjon Marini alias Xhevair Gashi, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat për kultivimin e bimëve narkotike, si edhe edhe faturisti, Klajdi Gremi dhe elektricisti i OSHEE-së, Behar Fata.

Policia ka sekuestruar 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës. Gjithashtu, u bë bllokimi i vilës 3-katëshe ku kultivoheshin bimët narkotike.

Të arrestuarit:

– E. M. alias Xh. G., 44 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Ky shtetas është pronari i vilës në të cilën Policia zbuloi 5 ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike;
-K. G., 40 vjeç, banues në Fier, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-B. F., 47 vjeç, banues në Fier, me detyrë elektricist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon dhe hetimi pasuror ndaj pronarit të vilës, shtetasit E. M. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re