Engjëll Brahimi, i shumëkërkuari shqiptar për vrasjen e një polici dhe djalit të tij 8-vjeçar shumë vite më parë është arrestuar në Montreal të Kanadasë, ku ai jetonte prej shumë kohësh me emrin Piro Kota. Mediat kanadeze raportojnë se Brahimi doli para gjykatës së Montrealit të premten.

Në artikull shkruhet se qeveria shqiptare ka kërkuar ekstradimin e 60 vjeçarit pasi akuzohet për vrasjen e oficerit të policisë, Astrit Braçe dhe djalin e tij 8 vjeçar, në një sulm me armë zjarri më 10 Gusht 2000. Në janar, autoritetet në Shqipëri kërkuan që Brahimi të arrestohej dhe ai u kap më 26 janar.

Sipas një deklarate të depozituar në kërkesën për ekstradim thuhet: “Më 21 maj 2001, kërkuesi u shpall fajtor në mungesë nga një gjykatë shqiptare për vrasje me paramendim për shkak të hakmarrjes, vrasje të kryer në rrethana të tjera specifike, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Dy nga personat mbetën të vrarë, njëri prej të cilëve fëmijë. Tjetri ishte ish-shefi i hetuesisë në qarkun shqiptar të Fierit.”

Në vitin 1997, vëllai i Brahimit, Iliriani, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi dikush kishte hapur zjarr ndaj një ambulance. Braçe ishte një nga policët e pranishëm në momentin e vrasjes së vëllait të Brahimit dhe vëllai i Braçes ishte shef i komisariatit lokal. Dikush tentoi të qëllonte Braçen në vitin 1999, por dështoi.

Brahimi ishte i dyshuar për të shtënat, por nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar. Më 10 gusht 2000, Braçe dhe gruaja e tij shkuan në plazh me djalin e tyre Asllanin, vajzën, mbesën dhe nipin. Ata kanë qenë të gjithë në të njëjtin Mercedes-Benz teksa kanë dalë nga plazhi kur makina është goditur me armë zjarri në fshatin Pishë Poro.

Autoritetet në Shqipëri nuk mundën ta kapnin Brahimin pas vrasjes. Deklarata përshkruan se si, më 6 prill 2001, ai dhe gruaja e tij, Elvira Brahimi, “u paraqitën para një gjykate greke në Athinë në lidhje me shkeljet e emigracionit dhe përdorimin e pasaportave false. Gjatë seancës dëgjimore, si kërkuesi ashtu edhe gruaja e tij pranuan identitetin e tyre real dhe dhanë detaje se si i kishin marrë dokumentet e falsifikuara.”

Autoritetet besojnë se Brahimi u largua nga Greqia dhe hyri në SHBA përpara se të kalonte në Kanada duke përdorur një pasaportë false. Në vitin 2000, një burrë me të njëjtin emër si pseudonimi i Brahimit u intervistua nga Metro, një gazetë në Montreal. Burri i identifikuar si Piro Kota i tha gazetës se po jepte mësime se si të drejtonte kamionë në lagjen St-Laurent. Brahimi është planifikuar të ketë një seancë dëgjimore para Bordit të Emigracionit dhe Refugjatëve javën e ardhshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re