Renato Çepa raportohet se ka qenë shënjestra e atentatit të dështuar në Elbasan, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Shënkoll”.
Renato Çepa është pronari i mjetit ku 24-vjeçari, i cili vdiq nga shpërthimi aksidental i eksplozivit, tentoi të vendoste lëndën plasëse.
Policia po heton konfliktet e mundshme të shënjestrës së atentatit të dështuar në Elbasan.
24-vjeçari, i cili dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal, po vendoste eksplozivin në mjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të Renato Çepës, por lënda plasëse i shpërtheu duke i shkaktuar dëmtime. Për pasojë, 24-vjeçari ndërroi jetën në spital.
“Rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se një shtetas rreth 24 vjeç, duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit R. Ç., lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 24 vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra 24-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes”, njoftoi policia.
