DURRËS- Detaje të reja zbulohen nga ngjarja në Durrës, ku u bllokuan një sasi e madhe parash Cash në valutë të huaj. Deri tani flitet për 5 milionë euro të fshehura në një mjet “Toyota Yaris”, e ngarkuar në një kamion me 8 automjete të tjera. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se policia ka nisur hetimet mbi dokumentacionin e mjetit, ndërsa mësohet se kamioni me targa AA 120SP ishte në pronësi të shtetasit Edi Lika. (shih, ekstrakti i QKB-së)

Ndërkohë në Portin e Durrësit kanë mbërritur krerët e policisë së këtij rrethi. “BalkanWeb” mëson se si drejtori ashtu dhe nëndrejtori i Drejtorisë së Policisë së Durrësit po ndjekin nga afër hetimet dhe procedurat hetimore. Po ashtu edhe prokurori i çështjes Sokol Nishani.

Shuma marramendëse u zbulua në Portin e Durrësit pas sinjalizimit nga Interpol Italia se në një mjet transportoheshin mallra të paligjshme. Deri tani janë katër persona të shoqëruar. Trageti ku ishte makina ishte nisur nga porti i Ankonas.

Ndërkohë që shuma e saktë nuk dihet ende sepse numërimi vijon ende, paratë kanë rezultuar jo të falsifikuara, që ishte një nga dyshimet fillestare.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re