Policia ka arrestuar një shtetas italian, më kuadër të aksionit të SPAK kundër një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare, në një nga kullat e Tiranës,
Cosimo Notaristefano është i ndaluari ndërkohë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.
Operacioni i SPAK dhe BKH
Grupi kriminal i “Call Center-ave”, që akuzohet se mashtronte qytetarë evropianë me kriptomonedha nuk kishte vetëm një bazë në kullën luksoze në Tiranë, Atti Tower, por edhe në godinën tjetër të e famshme dhe shumë të shtrenjtë të kryeqytetit, “Downtown One”,
Sipas SPAK, aktivitetin mashtrues e drejtonin 3 vëllezër, Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, nisën pasi nga emisioni investigativ italian “Le Iene” u dorëzuan materiale, mes të cilave pamje filmike.
Pikërisht nga këto pamje është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) e ndodhur në dy kate në kullën “Atti Tower”, përballë Katedrales Ortodokse në Tiranë.
Nga videot e filmuara nga gazetari italian i “Le Iene” që ishte i infiltruar si punonjës në këtë call center, pikërisht në zyrat e vendosura në katin e 9-të dhe të 13-të shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Menjëherë sapo pa pamjet dhe konfirmoi vendin, SPAK nisi punën hetimore. Por sipas SPAK organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj qendre.
Ishin pikërisht vëzhguesit jashtë kullës “Atti Toëer” që sipas Prokurorisë së Posaçme mbrëmjen e datës 15 Janar, pas përfundimit të punës, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.
Kur hetuesit e BKH-së kanë shkuar në kullën luksoze më 16 janar i kanë gjeture të boshatisura zyrat, pasi ishin larguar pajisjet dhe personelit.
Pas këtij momenti BKH ka identifikuar mjetet që kanë larguar kompjuterat dhe pajisjet e tjera të Call Centerit.
Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa personave, kryesisht transportues, që kishin lëvizur pajisjet nga “Atti Tower” në një ambient tjetër të marrë me qira në kullën “Downtown One”.
Me iniciativën e tyre hetuesit janë ngjitur menjëherë në katin e pestë të kësaj kulle, ku kanë gjetur një tjetër “Call Center”, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante materiale nga call centeri tjetër, që sapo ishte boshatisur në “Atti Toëer”.
Pasi kërkoi përforcime nga policia e Tiranës, u bë e mundur arrestimi i Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi, që u kapën në flagrancë dhe më pas ndalimi i dy të tjerëve, që dyshohen si punonjës të call centerit dhe akuzohen për mashtrim kompjuterik.
Një ditë më pas, më 17 janar, janë lëshuar edhe urdhrat e ndalimit për tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, si organizatorë, që vijojnë të jenë në kërkim.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa italianëve të mashtruar. “Le Iene” mundi të infiltrojë një person, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat se jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë janë përfshirë në krim, që jetojnë në Itali apo Shqipëri.
Transaksionet e fituara nga aktiviteti kriminal kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga kokat e grupit.



