Askush nuk e kishte vënë në dyshim kandidimin e Sali Berishës si deputet në zgjedhjet e ardhshme, e aq më tepër, askush nuk kishte guxuar t’i tregojë Berishës se “të tjerët” mund të ta mbyllin derën e selisë së PD-së.

Por duket se Besnik Mustafai dhe Genc Ruli, dy personalitetet që Lulzim Basha përzgjodhi në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve nuk qenë rastësi.

Dy emra me peshë në PD, jo aq për idetë, aksionet apo betejat fituese në politikë kundër socialistëve, por më shumë për afërsinë, konfidencat dhe integritetin që kanë ditur të ruajnë në raport me liderin absolut të Partisë Demokratike në kohën e tij më të mirë, Sali Berishën.

Si Besnik Mustafaj ashtu dhe Genc Ruli e kanë pjesë të profilit të tyre politik diferencën në mendime me Berishën në momente të caktuara apo edhe aftësinë për t’i thënë JO.

Ndaj sot, edhe një herë tjetër, Genc Ruli nuk e ka pasur të vështirë të japë një këshillë apo të përçojë një mesazh të fortë për Berishën, përmes një interviste në abcnews. Me ton jo aq miqësor, por i drejtpërdrejtë Ruli shprehu qëndrimin e tij se për Berishën ka ardhur koha të tërhiqet dhe të mos jetë më pjesë e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

“Lavdia e zotit Berisha do të mjaftonte për dy jetë, jo për një, por ai është një njeri energjik, pa diskutim. Por i takon atij të shprehet për këtë gjë. Secili duhet të dijë ta ruajë vetë lavdinë dhe shkëlqimin e tij. Ti vendos që karriera ime politike ka qenë e vrullshme, ka kaluar në të gjitha kulmet e saj, sot është dita që unë ta mbyll, për të mos ta mbyllur të tjerët ty.”

Nuk është e qartë nëse deklarata e Genc Rulit përfaqëson një qëndrim të konsoliduar në selinë e PD, një mesazh, që vetë Basha do ta kishte të vështirë ta thoshte drejtpërdrejt Sali Berishës, apo ky ishte thjesht një mendim personal i tij. Por që hija e ish-kryetarit ka qenë dhe është pengesë për autoritetin e Bashës në PD, ky nuk është një sekret.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re