Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri mohon akuzat për pagesën e hotelit në Vjenë, pasi emri i tij doli në dosjen e SPAK.

Në një reagim për BIRN, Gjiknuri sqaron se ai vetë ka fjetur në hotel të paguar nga ministria dhe se për udhëtimin, i gjithë dokumentacioni, përfshirë faturat, janë dorëzuar në ministri.

Ai madje shtoi se dokumentacionin nuk e ka vetëm ministria, por e disponon edhe ai vetë personalisht.

“Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vendit kanë qenë në linjat e zakonshme të fluturimit, vizita zyrtare në detyrën e ministrit. Fakte këto që mund të vërtetohen lehtësisht duke konsultuar dokumentet zyrtare të ministrisë: urdhër-shërbimet, qëllimin e udhëtimit, nisjen dhe destinacionin,” tha Gjiknuri.

“Referuar rastit konkret dhe datës të cilën ju e citoni për një udhëtim në Vjenë, ju siguroj se prokuroria, ministria të cilën unë drejtoja por edhe unë personalisht disponojmë praktikën e urdhër-shërbimit, biletat e avionit dhe rezervimin e hotelit ku kam fjetur, të gjitha të paguara me fatura nga institucioni që unë drejtoja si titullar. Për informacion, hoteli ku unë kam fjetur nuk është ai të cilit ju i referoheni por një tjetër. Të dhënat konkrete, emri i hotelit dhe pagesat janë pjesë e dokumentacionit që disponohet nga ministria përkatëse,” shtoi Gjiknuri.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re