Policia e Lushnjes ka vënë në pranga një 32 vjeçar si autor të disa vjedhjeve të kryera në qytet. Në pranga ka rënë shtetasi Mariglen Gashi i dënuar disa herë për vjedhje. Siç bën me dije policia, arrestimi i të riut është bërë i mundur pasi ka kryer disa vjedhje gjatë muajit Janar dhe Shkurt në Lushnje.

“Zbardhen disa vjedhje të ndodhura gjatë muajve janar dhe shkurt, në Lushnjë, kapet dhe ndalohet autori i dyshuar, me precedent penal në fushën e vjedhjes.

Në vijim të punës për parandalimin e rasteve të vjedhjes së pronës e pasurisë dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që kishte kryer disa vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i punës së mirorganizuar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën dhe ndaluan shtetasin M. G., 32 vjeç, banues në Plug, Lushnjë (i dënuar disa herë për vjedhje).

Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe provat e sekuestruara, dyshohet se 32-vjeçari është autor i disa vjedhjeve, konkretisht:

Më datë 18.01.2023, në lagjen “18 tetori”, ka vjedhur 4 koshere blete, në pronësi të shtetasit B. Gj.;

Më datë 07.02.2023, në lagjen “18 tetori”, Lushnjë, ka vjedhur baterinë e automjetit të shtetasit G. T.;

Më datë 12.02.2023, në lagjen “18 tetori”, Lushnjë, ka vjedhur bateritë e mjeteve bujqësore të shtetasit A. H.;

Më datë 14.02.2023, në fshatin Plug, ka vjedhur dyer dhe dritaret e banesës së shtetases A. Q.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re