Kontesti i emrit të Maqedonisë vazhdon të mbetet temë diskutimi nga krerët e institucioneve evropiane. Jean-Claude Juncker dhe Federica Mogherini, e mbështetin nevojën për një marrëveshje të mundshme për emrin e Maqedonisë, që në kuvendin e Greqisë të votohet me shumicë të zmadhuar.

Sipas gazetës greke “Avgi”, Brukseli kërkon nga Athina që në vend të 151 votave, të kërkojë 180 vota për një zgjidhje të mundshme të çështjes së emrit.

Gazeta pohon se bashkësia ndërkombëtare interesohet edhe për qëndrimet e forcave tjera politike në Maqedoni dhe Greqi, e jo vetëm të atyre që qeverisin.

Nga ana tjetër vjen reagimi nga Grekët e Pavarur, të cilët janë pjesë e qeverisë së Greqisë, duke përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të përkrahin marrëveshje për emrin nëse aty do të jetë termi Maqedoni.

Këtë qëndrim për radion greke “Real fm”, e ka thënë zëdhënësja e partisë, Magdalena Papadopulu.

“Nuk mund të pranojmë emër që do të përfshijë termin Maqedoni. Shteti në Shkup duhet të pranojë një marrëveshje të plotë, gjegjësisht ndryshim të Kushtetutës, ndryshim në letërnjoftimet, një emër për të gjithë. Për çdo rast, ne, Grekët e Pavarur, nuk mund të heqim dorë nga çështjet tona themelore dhe pozicionet tona”, ka thënë Papadopulu.

Si në Greqi, ashtu edhe në Maqedoni, pjesa dërmuese e qytetarëve maqedonas kanë realizuar peticion për mospranim të ndryshimit të emrit si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE dhe NATO.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re