
Detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në zonën e Llogarasë, ku një automjet u përfshi nga flakët dhe brenda tij humbi jetën një person.
Viktima është identifikuar si Artjol Xhelo, 32 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit.
Ai ishte me origjinë nga Ura Vajgurore dhe kishte dhënë dorëheqjen nga policia në vitin 2023.

Policia ka verifikuar kamerat e sigurisë në bizneset aty pranë dhe është parë se ka qënë i vetëm kur ka hyrë në Llogara.
Automjeti i viktimës është tip BMW dhe u gjet e djegur në Qafën e Llogarasë, në zonën që të çon drejt antenave.
Policia po heton mbi dy pista, atë të vetëvrasjes dhe vrasjes.
Njoftimi paraprak i policisë:
“Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”.