Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 53/2024, datë 20.12.2024 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Xhemal Saliaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 805, datë 07.10.2024.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 805, datë 07.10.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Xhemal Saliaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Prokurori i Vlorës, Xhemal Saliaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 7 tetor 2024, pasi u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Vendimi u mor me votat e shumicës së trupës së KPK, të përbërë nga kryesuesja Alma Faskaj dhe anëtarja Xhensila Pine. Relatorja e çështjes, Pamela Qirko doli në pakicë duke çmuar se Saliaj arriti nivel të besueshëm për të tri kriteret e rivlerësimit dhe se duhej konfirmuar në detyrë.

Saliaj e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokuror në Prokurorinë e Beratit, ku ka ushtruar dhe funksionin e drejtuesit.

Prej vitit 2013 e deri në shkarkimin nga detyra, Saliaj e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Vlorë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re