Një 45-vjeçar ka rënë në pranga në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, pasi posedonte armë zjarri, me qëllim shitjen.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara për një shtetas i cili do të transportonte armë zjarri nga Shkodra drejt Rinasit, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrethi”.

Si rezultat, në Rinas, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi Kreshnik Burrja, 45 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 45-vjeçarit, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me DVP Shkodër u ushtrua kontroll në banesën e tij, në Shkodër, dhe gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri shotgan me municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine, sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 45-vjeçari i arrestuar i ka siguruar armët e zjarrit, me qëllim shitjen e tyre. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re