Është arrestuar nga policia 31-vjeçari Sadri Selaci, i cili është akuzuar se në bashkëpunim me të riun Kiri Mernicaj masakruan me thikë rreth pesë vite më parë 23-vjeçarin Florian Selimi, i cili u gjet i pajetë në një kanal.

Viktima/ Dy autoret e dyshuar duke shkuar ne gjykate

Gjykata e Fierit e ka dënuar Sadri Selacin në datën 6 korrik 2023 me 19 vite burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Krimi i rëndë ndodhi më 11 gusht 2019 në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ku 31-vjeçari në bashkëpunim me 25-vjeçarin Kiri Mernicaj, i cili aktualisht vuan dënimin në IEVP), vrau me thikë Florian Selimin.

Njoftimi i policisë: 

Fier/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Sharp”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për vrasje.

I dënuar me 19 vjet burgim, për një vrasje me mjet prerës (thikë), të kryer në vitin 2019, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. M. (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. S..

VRASJA E 23-VJEÇARIT

Sadri Selaci dhe Kiri Mernicaj, të dy banues në fshatin Sulaj, dyshohet se kanë masakruar me thikë të riun me origjinë nga Tropoja pas një sherri të çastit.

Pas ngjarjes ata u vendosën në pranga, por dy të rinjtë thanë se nuk kanë lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit.

Ata kanë përsëritur disa herë se nuk kishin pasur fare dijeni për ngjarjen dhe se lajmin e kanë dëgjuar nga televizori.

Dy të rinjtë akuzohen se në fshatin Hamil, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta kanë vrarë me thikë bashkëfshatarin e tyre, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë pak minuta pas goditjes. Dy të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

 

Policia tha zyrtarisht se rreth orës 07:00, në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit”, është gjetur pa shenja jete në kanal 23-vjeçari Florian Selimi. Në të njëjtën kohë, afër kanalit ku u gjet trupi i pajetë, është gjetur një makinë tip “Renault” me targa AA641EN, me kofano të hapur dhe një gomë të hequr. Pak para se të humbte kontaktet, viktima kishte telefonuar të atin dhe i kishte kërkuar ndihmë, pasi kishte defekt në makinë.

Akoma nuk dihet se si ka nisur sherri mes të rinjve, por dyshohet se gjithçka ka ardhur pas debateve për bllokimin e rrugës, sepse njëra nga gomat e makinës së Florian Selimit ishte çarë.

Florian Selimi ishte me origjinë nga Tropoja dhe prej disa vitesh jetonte në fshatin Sulaj të Fierit. Dyshohet se në vitin 2015, Selimi ishte arrestuar për shkak se kishte vjedhur dhe më pas kishte djegur një automjet në lagjen “15 tetori”, ngjarje për të cilën ka qenë edhe i arrestuar.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re