Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm, më 8 qershor, në qytetin Fontaniva të Italisë, ku një burrë shqiptar është qëlluar me armë zjarri ndërsa po lëvizte me biçikletë. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 në zonën e Via Casoni.

Fillimisht, disa drejtues mjetesh që kalonin aty pranë vunë re shqiptarin të shtrirë në tokë dhe menduan se bëhej fjalë për një aksident rrugor. Menjëherë u thirrën shërbimet mjekësore të emergjencës 118, të cilët mbërritën në vendngjarje në pak minuta.

Por mjekët, pas një vëzhgimi të shpejtë, kuptuan se burri nuk kishte rënë rastësisht nga biçikleta, ai ishte i plagosur rëndë në fytyrë nga një armë zjarri.

Viktima është identifikuar si Fatos Cenaj, 59 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Fontaniva. Ai u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe nën kujdes të veçantë mjekësor.

Sapo u konstatua se nuk bëhej fjalë për një rrëzim të zakonshëm, por për një ngjarje kriminale, në vendngjarje mbërritën forcat e Karabinierisë nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Padovës. Zona u izolua menjëherë për të mbledhur prova dhe gjurmë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Aktualisht nuk përjashtohet asnjë pistë. Një nga hipotezat kryesore është se autori mund ta ketë qëlluar nga një makinë në lëvizje. Një tjetër mundësi është që një person të ketë përdorur armë nga banesa e tij dhe pa dashje të ketë qëlluar mbi kalimtarin.

Sipas mediave italiane, hetimet po vijojnë me intensitet, pasi koha mund të jetë vendimtare për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje misterioze. Janë sekuestruar të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen në zonë, ndërsa disa dëshmitarë janë marrë në pyetje për orë të tëra në komisariat në përpjekje për të dhënë një përgjigje për këtë rast tronditës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko