TIRANË- Punonjësi i Gardës që mbeti i plagosur në një incident pak minuta pas mbarimit të takimit të kryeministrit Edi Rama në Belsh është dërguar në Qendrën Spitalore të Traumës në Tiranë.

Gazetari Erjon Skëndaj duke iu referuar burimeve bluzat e bardha raporton për “BalkanWeb” se gardisti që pësoi aksidentin është Mirian Bajramaj, 32 vjeç. Pasi është sjellë me urgjencë në Tiranë, i riu është futur menjëherë në sallën e operacionit ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Sipas mjekëve, efektivi i gardës ka dëmtime fizike nga rënia nga lartësia. Mjekët janë në sallë dhe kur të dalin mund të kenë një përgjigje të saktë për shëndetin e tij, raporton “BalkanWeb”.

Ngjarja ndodhi rreth 17:00 të ditës së sotme, sapo kryeministri Rama kishte mbaruar takimin me qytetarët në Belsh në kuadër të turit të llogaridhënies publike. Gardisti ra nga një lartësi rreth 2 metër në afërsi të podiumit.

Të pranishmit kanë dëgjuar një zhurmë të fortë, teksa më pas kanë parë efektivin përtokë. Ai u mor me barelë nga vendi ku ra dhe u dërgua në qendrën shëndetësore të Belshit fillimisht e më pas drejt Spitalit të Traumës.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re