Parlamenti maqedonas ndërpreu seancën ku nisën diskutimet mbi propozimin e qeverisë për fillimin e procedurës së ndryshimeve kushtetuese që përfshijnë ndryshimin e emrit të vendit, për të vijuar të martën.

Deputetët nga mazhoranca dhe opozita u përpoqën të bindin njëri-tjetrin mbi qëndrimet respektive, shoqëruar nga argumentat respektive, ku në qendër ishte ajo nëse dispozitat e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë ishin apo jo të pranueshme, dhe a janë ose jo në kundërshtim me interesat e popullit maqedonas dhe shtetit.

Marrëveshja me Greqinë parashikon një ndryshim në emrin e shtetit në Republikën e Maqedonisë Veriore, që kundërshtohet nga opozita.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u ka bërë thirrje përfaqësuesve të parlamentit për pajtimin kombëtar.

Ai jua bëri këtë ofertë anëtarëve të partisë më me ndikim e opozitës, VMRO-DPMNE, si një gjest i vullnetit të mirë për të votuar ndryshimet kushtetuese.“Tani është koha për falje dhe pajtim. Unë po dërgoj një mesazh pajtimi dhe faljeje për atë që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar. Politikanët shkojnë e vijnë, por Maqedonia dhe njerëzit tanë të mbeten përgjithmonë”, tha Zaev.

Ai ftoi deputetët që t’i japin dorën njëri-tjetrit dhe përsëriti se nuk ka marrëveshje më të mirë se ajo e arritur me Greqinë mbi emrin e ri të Maqedonisë.“Ne po shfrytëzojmë kështu seancën e sotme plenare, si një mundësi për pajtim në mes të majtës dhe të djathtës në Maqedoni pas incidenteve të vitit të kaluar në shtëpinë legjislative”, shtoi Zaev.

Opozita ende nuk ka mbajtur qëndrim për këtë “falje gjaku” nga ana e Zaevit. Ajo, VMRO vijon të kundërshtojë marrëveshjen me Athinën dhe, pjesëmarrja e ulët në referendum i ka dhënë akoma dhe më tepër zemër. Ndërkohë, qeveria ka nevojë për 9 vota të opozitës për t’i “vënë kapak” kushtetues Marrëveshjes së Prepës dhe rrjedhimisht emrit të ri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re