Skip to content

EMRI/ Sherr me thikë, 78-vjeçari plagos të riun në Shkodër

SHKODËR- Një person ka mbetur i plagosur me thikë në lagjen “Rus” në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, në hyrje të tregut. Mësohet se pas një sherri mes dy personash, njëri  prej tyre ka nxjerrë thikën duke e qëlluar në bark.

Për pasojë, personi i plagosur, Artan Bobnaj ka marrë plagë dhe është kërkuar menjëherë ndërhyrja e ambulancës. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut.

Autori i ngjarjes është Musa Çinari 78-vjeç. Ai është arrestuar nga policia, ndërsa pas dëshmisë pritet të zbardhen motivet e përplasjes mes tij dhe punonjësit të lavazhit.

Njoftimi i Policisë: 

Plagosi me mjet prerës (thikë), një 38-vjeçar, pas një konflikti të çastit, identifikohet dhe shoqërohet menjëherë nga Policia, autori i dyshuar. Rreth orës 11:30, në lagjen “Rus”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, është plagosur me mjet prërës (thikë), shtetasi A. B., 38 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, i cili ndodhet në spitalin e Shkodrës, në kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale operacionale, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në ambientet e Policisë, autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasin M. Ç., 78 vjeç, banues në lagjen Partizani, Shkodër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.