Është vënë në pranga një 37-vjeçar në Portin e Durrësit, pasi ka tentuar të trafikojë piktura me vlerë 25 mijë euro.
Nga kontrollet në këtë mjet, janë gjetur 10 piktura të padeklaruara, për të cilat 37-vjeçari Kasem Qato nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to.
Gjithashtu, jenë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale Q. H., 25 vjeç, banues në Fier dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi nga hetimet dyshohen si bashkëpunëtorë të Kasem Qatos për trafikimin e pikturave.
Njoftimi i policisë
Policia Kufitare godet një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit.
Sekuestrohen 10 piktura me vlerë rreth 25 000 euro.
Arrestohet në flagrancë drejtuesi i furgonit ku u gjetën pikturat.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë rast.
Në vijim të punës së bazuar në analizën e riskut, të kryer nga Policia Kufitare e PKK Port Durrës, në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, furgoni me drejtues shtetasin Kasem Qato.
Nga kontrollet në këtë mjet, janë gjetur 10 vepra arti (piktura), të padeklaruara, për të cilat ky shtetas nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Q., 37 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Q. H., 25 vjeç, banues në Fier dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi nga hetimet dyshohen si bashkëpunëtorë të shtetasit K. Q., për trafikimin e pikturave. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.