Kalimi në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që nuk mundësojnë hapjen reale të listave, duket se ka sjellë dhe divorcin e parë në skenën politike shqiptare. Bëhet fjalë për distancimin që ka bërë Nisma Thurje nga deputetja Rudina Hajdari, e cila nuk ka mundur që të bëjë dot asgjë për të penguar mazhorancën për të kaluar me më shumë se 90 vota ndryshimet në Kod.

Lajmin e ka bërë të ditur, një nga themeluesit e Nismës Thurje, Pano Soko, i cili i pyetur nga Faxweb.al ka konfirmuar zërat e ndarjes së rrugëve me Hajdarin.

Soko shprehet se bashkëpunimi mes palëve kishte si qëllim pikërisht hapjen e listave, gjë të cilën deputetja Hajdari nuk mundi ta pengonte në Kuvend, edhe pse dje mbajti një fjalim me tonë të forta, dhe bllokoi për disa minuta foltoren.

”Po ne e kemi pasur të kushtëzuar bashkëpunimin që në fillim nga hapja e listave. Mosrealizimi i kësaj pike na çon në shkeputjen e bashkëpunimit”, është shprehur Soko për Faxwëeb.al, ndërsa është shprehur se vetë Hajdarit i është komunikuar ky vendim nga ana e përfaqësuesve të tjerë të nismës.

Tashmë mbetet në pikëpyetje rrugëtimi politik i Nismës, nëse do të prezantohet apo jo te qytetarët si parti politike, që do të garojë me kandidatë në zgjedhjet e ardhshme, dhe po ashtu nuk dihet cila mund të jetë lëvizja e vetë Hajdarit, e cila u distancua dhe nga partia tjetër e djathtë që u krijua në Kuvend, nga ana e Myslim Murrizit.

Kujtojmë se për Nismën “Thurje”, bashkëpunimin e tyre me Rudina Hajdarin, u investua edhe vetë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, në disa dalje publike mbështetëse, por edhe darka informale me ta.

Vetë Hajdari votoi dje kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por duket se kjo nuk ka ndikuar që anëtarët e tjerë të Nismës të kenë besim te ajo për vijimin e aktivitetit politik të tyre. Mbetet për t’u parë se cili do të mbetet aksioni i radhës i Hajdarit, që tashmë e gjen veten të papërfaqësuar në asnjë aksion politik. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re