Kishte 14 muaj që nuk e shihte nënën. Ulur në sallë ishte më vëllezërit e motrat. Po dëgjonin. Aty kishin dhe të atin. Nënës e babit po i bëhej ‘gjyqi i popullit’, sepse ishin “armiq” të republikës socialiste të Shqipërisë.

Përballë këtyre ‘armiqve’, ulur në sallë ishin fëmijët. Violeta 14 vjeçe, Florinda, Vera, Arbeni dhe Aleks Kapllaj. Aleksi ishte vetëm 6 vjeç në atë kohë. Ai ka treguar disa detaje në lidhje me skenat që mban mend nga gjyqi kundër nënës e babait, të akuzuar si sabotatorë të ekonomisë socialiste.

“Mbas 14 muajsh, salla e gjyqit ishte mbushur plot e për plot. Njëkohësisht gjyqi transmetohej me altoparlant jashtë, për ata që nuk kishin mundur të hyjnë në sallë. Babën e pashë kur po hynte, ndërsa nanën e futën nga një hyrje tjetër. Unë kërkoja nanën me sy dhe ajo mua. Dikur arrita ta dalloj mes policëve. I kishin pre flokët dhe ishte krejt në të zeza. Ishte dobësuar shumë dhe kishte një trishtim në çdo qelizë të qenies së saj, por ishte krenare. Ishte ma e fortë dhe kurajoze se të tanë ata që ishin në atë sallë. Ajo e mbante kryet nalt dhe hidhte poshtë çdo akuzë. Dukej se ajo po u bante gjyqin moral atyne. Shpesh kur e kujtoj atë moment më ngjason me foton e gjyqit të Musine Kokalarit… Sa më pa, ajo buzëqeshi dhe më përshëndeti me shikim.

Gjykatësi i drejtohet: “E pandehur pse i keni firmosur këto akuza?”. Nana e jeme i përgjigjet: Sepse me kanë kërcënuar me pistoletë te veshi dhe jeta asht e amël e nuk mund të lija pesë fmijë jetimë”, tregon Aleksi, në një rrëfim të publikuar në Kujto.al.

Aleksi ka rrëfyer dhe momentin kur i arrestuan të atin.

”Fotografia e kujtesës teme ishin ato pranga që ia kishin shtrënguar deri në kockë babës tem dhe kur po uleshin nga kamionçina e shtynë. Duke qenë i prangosur me një tjetër, ai bërtiti nga dhimbjet që i kishin shkaktuar hekurat e prangave, që nuk ishin gja tjetër vetëm katër shufra hekurash të saldume që shtrëngoheshin me dy bullona me dado. Ajo britmë dhimbjesh me ka mbetë edhe sot në mendje dhe më duket se e ndoqi babën tem deri ditën e fundit të tij”, rrëfen Aleks Kapllaj (rrëfimin e plotë e gjeni këtu)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re