Nga Aneta Mihali Xhiku

Pas 20 vjet emigrimi, diç kam mësuar për dhimbjet e shpirtit nga
vetmia dhe çrrënjosja. Shqiptarët ëndërrojnë Amerikën, pa ditur çmimin
emocional, shëndetsor, familjar, profesional e shoqëror që duhet paguar
për komoditetin ekonomik.

Në 4-5 vjet, pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë blejnë shtëpi e
makina, fëmijët mësojnë në shkolla të mira ku ambicja e trashëguar nga
prindët, dalë nga një vend pa mundësi, i nxjerr në krye të klasës.

Nëse ke qenë profesionist në Shqipëri, synon të arrish të paktën në
po atë nivel, por kjo kërkon përpjekje titanike që shpejt kthehen në
stres. Mundësite të joshin të punosh më shumë, hyn në borxh që të blesh
me të mirën, por e mira s’ka fund, dhe njeriu e gjen veten në qerthull
ku harron të ushqejë shpirtin e vet.

Ardhur nga një vend ku si terapist shërben komshija, kushëriri,
shoqja e punës apo e shkollës, emigranti shqiptar ndodhet në boshllëk –
nuk gjen njeri të zbrazet, nuk gjen njeri ta mbushë.

Dhimbjet e shpirtit kthehen në sëmundje, stresi paralizon muskujt,
sh.katërron trupin, fillojnë ilaçet që ndreqin një gjë e prishin dy, por
ti vazhdon të vraposh, derisa ngec e jeta merr tatëpjetë…

Familjen e kisha aty me rrënjë e degë, por më mungonte shoqëria,
gjuha e folur në rrugë, peisazhi. Nënvetëdija kish shtresëzuar nevojën
për të parë malet, kodrat, lumin, por mungesa fatale qe Deti.

Ju ka ndodhur që, një herë në ca vjet, të shihni të njëjtën ëndërr
makthi? Imja qe kjo: shkoja në Sarandë për dy javë, me qejfin që “do
kënaqem në det!” Por vinte dita e fundit dhe s’kisha mundur të kridhesha
as edhe një herë në ujë.

Nga ballkoni i motrës sime shihja një copëz blu, bluu, bluuu… “Obobo,
nesër do iki!” Zgjohesha e tronditur, me faqe të lagura – kisha qarë në
gjumë.

Mendjen e kisha të mbledhur, ndoshta, ndoshta kthehesha në Shqipëri
pas pensionit. Fëmijët kishin dalë në jetë, qe koha ta merrnim shtruar e
të gëzonim të mirat e punës në atë vend të begatë, por njeriu kurrë nuk
e di si i vijnë kartërat në jetë.

Vendimin për t’u kthyer e mori im shoq. Erdha këmbëzvarrë e me kokën
pas, por u befasova nga energjia, mundësitë e shumta për biznes,
ngrohtësia e njerëzve këtu. “Erdhe, mirëseerdhe, sa do rrish?”
“Përgjithmonë!”

Në fytyrë shfaqet mosbesimi, pastaj kënaqësia “kjo që rri, diçka di.”
Pasi kalon entuziazmi i parë, zënë e fusin hundët në punët e tua, nisin
ankesat pafund… ti bie në tokë e zë të ndjesh dëshpërimin e thellë të
shoqërisë shqiptare.

“Ka marrë fund, nuk ka më shpresë këtu” – është refreni që dëgjoj
përditë. Në qytetin tim ka mundësi të jashtëzakonshme, por të papunët
nuk i shohin – rrinë në kafene dhe përsërisin: “ky vend nuk bëhet!”

S’i pengon askush të pastrojnë rrugicën para shtëpisë, të mbjellin
lule e pemë midis pallateve, të lyejnë murin a shkallët, të punojnë
apartamentet bosh të komshinjve që kanë ikur, të lidhen me fshatarët për
të sjellë prodhimet e tyre në qytet, të organizojnë një kor apo një
eskursion me fëmijët e mëhallës, të ndihmojnë dikë në hall, por jo –
janë tepër të zënë me telenovelat, fejsbukun, filxhanin e kafesë nën
shtëllungat e duhanit…

Në Sarandë vijnë të huaj me trumba, shesin shtëpitë në vendet e tyre
dhe bum! blejnë apartamente e hapin biznese – kurse ne e kemi mendjen të
ikim, të ikim një orë e më parë!

Në arrati shkërmoqim familjen, lëmë pas prindër që plaken të vetmuar,
fëmijë që nuk ndjejnë përkëdheljen e gjyshërve, ëndërra profesionale të
paarrira, e pëlhura e shpirtit dobësohet fill pas filli…

Nga një studim mbi faktorët që përcaktojnë jetëgjatësinë e njeriut,
del se njëshi është komuniteti, jeta e rrugës; 2. familja dhe miqtë e
ngushtë 7. duhani.

Emigranti ka 7 herë më shumë gjasa të v.desë nga vetmia, se sa nga
pirja e duhanit. Keni dëgjuar ndonjë fushatë kunder emigracionit? Shihni
filmin dokumentar “Babushkat e Çe.rnobilit”
(https://thebabushkasofch.ernobyl.com/) – pas ka.tastrofës nu.kleare në
Çe.rnobil, banorët u shpërngulën përfare në Moskë. Zona u rrethua me
tela, por disa të moshuar u kthyen fshehurazi në shtëpitë e tyre, ku
zunë të jetonin me prodhimet e tokës që mbartte v.dekjen.

Doli fjala e u nis një ekip (me kokë ne trastë) që të vëzhgonte se si
ishte e mundur jeta në një vend të tillë. Studimi konkludoi se
v.dekshmëria e të moshuarve të shpërngulur në Moskë ishte 10 herë më e
madhe se vd.ekshmëria e babushkave të kthyera në zonën e vd.ekjes. Punët
e shpirtit….

Pas 20 muajsh këtu, jam e vetëdijshme për plagët e thella të
shoqërisë shqiptare, e kuptoj sa e vështirë është të rrisësh fëmijë e të
ngresh profesion në një vend ku qeveria punon vetëm për xhepin e vet,
duke shkatërruar mundësitë për njeriun që ka nevojë e qejf të punojë.

Por bota ka ndryshuar: në perëndim emigrantet nuk i pret më njeri
krahëhapur, vetë perëndimoret nuk po gjejnë rehat (miqtë e mi të rinj
Shawn Simons and Kyle Drevlo shitën gjithshka kishin në Kaliforni dhe po
ndërtojnë një fermë në Finiq; të shtunën pres Lucy Ivanoff që mbërrin
në port vetëm me dy valixhe pasi shiti apartamentin në Washington D.C.;
Natasha Wolf po i lan duart nga shtëpia në Long Island, ndërkaq që në
mars e pret foleja e re në mëhallën time.)

Kemi fatin e madh të jetojmë në një vend me klimë, pasuri, ushqim,
histori, inteligjencë emocionale etj, që i bën të huajt të mos mendohen
dy herë e të ngulen këtu.

Shqipëria ka ecur përpara në disa drejtime, mbrapsht në disa të
tjera, por teknologjia dhe media sociale na kanë hequr çdo justifikim
për të humbur kohë.

Nëse bëjmë më të mirën që mundemi vetë, gjejmë e vlerësojmë më të
zotët mes nesh dhe i nxjerrim në krye, mbështesim kurajon qytetare për
t’u kërkuar llogari atyre që na udhëheqim, ndjej që shpresat janë reale.

Ditët i harxhoj me njerëz që thonë “këtu mund të bëjmë diçka” dhe, si
dikush që i ka jetuar të dy realitetet, u them: “aty isha e kënaqur,
këtu jam e lumtur.”

P.S: Njoh shumë emigrantë që nuk ndajnë të njëjtin mendim me mua dhe
janë të lumtur në emigrim, por kjo është shkruar për ata që ndjehen si
unë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re