Skip to content

“Ëndërrojmë për Shqipërinë që nuk qeveriset nga bandat apo krimi” – Aktivistja Vatnikaj: Kërkojmë dorëheqjen e Ramës! Kryeministri duhet të ketë vetëm 2 mandate

Rezistenca popullore ka mbërritur në ditën e saj të 46-të, një qëndresë që sipas organizatorëve ka bashkuar shqiptarët përtej çdo parashikimi. Gjatë tubimit përpara Kryeministrisë, fjalën e ka marrë aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila ka mbajtur një fjalim të fortë përpara turmës së qytetarëve.

Vatnikaj u kthye pas në kohë, duke kujtuar shkëndijën që nisi këtë revoltë popullore përpara më shumë se një muaji e gjysmë, kur një qytetar u dhunua nga policia gjatë një proteste për mbrojtjen e mjedisit.

“Për 46 ditë kemi protestuar për tërheqjen zvarrë të një protestuesi që në fakt nuk është tërhequr zvarrë vetëm ai. Para 46 ditësh kur një protestues që protestonte kundër një ndërtimi në zonat e mbrojtura u tërhoq zvarrë para policisë, jemi tërhequr zvarrë të gjithë. Ëndrra jonë është për një Shqipëri që nuk qeveriset nga bandat apo krimi!” u shpreh aktivistja.

Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama për arrogancë ndaj zërit të qytetarëve, duke artikuluar kërkesën kryesore për largimin e tij dhe vendosjen e një rregulli të ri në sistemin politik.

“Për 46 ditë i kemi kënduar kryeministrit një refren që ai me arrogancë refuzon ta dëgjojë. Kemi kërkuar dhe kërkojmë menjëherë dorëheqjen! Dorëheqje! Dorëheqje! Kërkojmë që në Shqipërinë e re kryeministri të ketë vetëm dy mandate gjatë jetës së tij politike!” deklaroi Vatnikaj.

Në mbyllje të fjalës së saj, aktivistja denoncoi atë që e quajti kapje të pasurive kombëtare nga një sistem oligarkik, duke theksuar se hapësirat publike u përkasin qytetarëve.

“Për 46 ditë kemi denoncuar çdo ditë një sistem oligarkik që ka privatizuar gjithçka, që nga pushteti në kryeministri deri te lumi, tek mali, deti, te hapësira publike që janë tonat!” përfundoi ajo.