Nisma Thurje në vendoret e 14 majit kandidon vetëm për këshillat bashkiakë, duke mos nxjerrë një emër për kryebashkiak në asnjë qytet.

 

Drejtuesi i Thurjes, Endri Shabani në një intervistë për emisionin Quo Vadis tha se e ka marrë këtë vendim pasi ishin të vetëdijshëm që nuk do të fitonin dot dhe nuk donin të gënjenin qytetarët.

 

Shabani shtoi se raundin e parë ata e kaluan duke mbledhur 9 mijë firma për tu regjistruar në zgjedhje, por janë shumë larg 160 mijë të tillave për kryebashkiak në Tiranë.

 

“Në këto zgjedhje i kemi me dy raunde. Provuam raundin e parë , mblodhëm rreth 9 mijë firma në Tiranë që janë të mjaftueshme për tu përfaqësuar në Këshillin Bashkiak, por janë shumë larg 160 mijë votave që duhen për të fituar për kryetar bashkie.

 

Në vend që të zgjidhnim një betejë që do e humbnim, zgjodhëm të bëjmë një betejë që mund ta fitojmë. Problemi kryesor që ka sot Shqipëria është që njerëzit edhe kur janë të mërzitur me klasën e vjetër politike, mendojnë që të rinjtë nuk kanë shanse për të fituar. Është shumë e rëndësishme për t’i zgjidhur betejat me kujdes për të mos gënjyer qytetarët.

 

Kemi pasur oferta nga të gjithë por ne kemi zgjedhur të shkojmë vetëm në këshillat bashkiakë, që të kemi duart e lira të bëjmë çfarë të duam. Ne duam të anulojmë koncesionet e autobuzave në Tiranë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re