Drita e syve të këtij babai është fare e shkurtër. Mon Muhadri është gati tërësisht i verbër… por shqetësimi nuk janë sytë e tij, por të të bijës 14 vjeçe. Edhe ajo ka një shkallë të lartë të verbërisë, një sprovë që e bën shkollimin e saj dyfish apo më shumë të vështirë.

Sot kjo vajzë 14 vjeçe do të duhej të ishte në shkollë. Ajo nuk ndjek mësimet as në ndonjë shkollë të rregullt apo në ndonjë shkollë të specializuar. Kohën më të madhe e kalon me prindërit e saj në fshatin Lipovec të Gjakovës.

 “Çdo fëmijë nuk duhet të jetë i mbyllur, i okupuar, por të vazhdojë të rehabilitohet, të shkojë të punësohet, se nesër është ai për vetveten, e jo unë për ato apo ajo nesër për mua.”-tregon babai i 14 vjeçares në një intervistë për REL.

Prej shtatorit të vitit 2017, për një vit e gjysëm, vajza ndoqi mësimet në një qendër të specializuar në Pejë. Por në vitin 2018, për shkak të disa procedurave e dokumenteve, vajza ka lënë shkollën. Babai i saj tregon se procesi u la përgjysëm për shkak të arsyeve financiare, teksa shtoi se kërkesat i ka bërë sërish në fund të vitit të kaluar për ta dërguar sërish në shkollë vajzën.

Unë mendoj që është mirë ta kem vajzën në mesin e kolegeve, kolegëve të tjerë, të punohet me ta, të rehabilitohet”-thotë Muhadri.

Mon Muhadri tregon se ëndrra e tij më e madhe është të mund të shkollojë vajzën, që edhe ajo të ketë një të ardhme si të gjithë fëmijët e tjerë.

“Ëndrra ime është që ajo të arrijë edhe një herë më tepër sa që jam unë.”

Në Kosovë nuk ka statistika të sakta për fëmijët me nevoja të veçanta, por sipas disa organizatave vendore e ndërkombëtare, numri llogaritet në rreth 43 mijë.

Afro 38 mijë prej tyre janë jashtë sistemit arsimor.



Post Views:
5

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re