“Situata emergjente kërkon masa dhe veprime konkrete!” Kështu thotë kryedemokrati Lulzim Basha, i cili deklaron se çdo ditë që kalon biznesi dhe qytetarët përjetojnë vështirësi të dyfishta.

Ai ndan propozimin e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, me anë të të cilit kërkon heqjen e taksave vendore për tre muaj, në këtë periudhë emergjence nga koronavirusi.

Sipas tij, gjendjes së jashtëzakonshme diktuar nga Covid-19 i shtohet dhe pamundësia e bizneseve për të mbijetuar  dhe e një shumice qytetarësh për të siguruar ushqim në pamundësi për të punuar.

Për këtë arsye Basha përshëndet vendimin e kryetares së Bashkisë së Shkodër Voltana Ademi për tu gjendur në krah të qytetarëve dhe bizneseve.

“Ky është standardi i Partisë Demokratike. Çdo propozim i yni është i zbatueshëm dhe çdo vendim të propozuar do ta kisha marrë pa hezitim në qeverisje, për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit.

Uroj dhe bëj thirrje që pa humbur kohë të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i  propozimit të kryebashkiakes Ademi për përjashtimin nga detyrimet vendore për individët, familjet,  personat fizikë dhe juridikë, dhe që çdo bashki tjetër të adoptojë të njëjtat masa në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, shkruan Basha duke renditur me pika:

-Të përjashtohen  nga taksa e pronës dhe tarifat vendore (pastrim, gjelbrim, ndriçim publik) për një periudhë 3-mujore viti 2020,  për të gjitha kategoritë e taksapaguesve.

-Të përjashtohen nga kamatvonesat e detyrimeve  vendore dhe gjobave për të gjitha kategoritë e taksapaguesve.

Propozimet e Ademit, të publikuara nga Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re