Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të krizës së energjisë elektrike. Gjatë një tryeze me ekspertë në fushën e energjisë, Berisha deklaroi se Shqipëria duhet të ishte vendi do të ndiheshin më pak pasojat e agresionit rus mbi Ukrainën në sektorin energjetik.

 

Por, sipas tij, kriza aktuale u thellua si pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Ish-kryeministri Berisha përmendi dy elementë që tregojnë abuzimin me energjinë elektrike.

 

“Ishte Ardian Çela qe deklaroi se digat i zbrazën kontenieret e bitcoin dhe serat e kanabisit. Janë dhe këta dy faktorë që grabisin energji pa fatura dhe faturën e tyre e paguajnë konsumatorët. Nuk jam kundër bitcoinit po duhet të jetë gjithçka legale. Do të prodhosh bitcoin shko dhe regjistrohu, të gjitha të dhënat të çojnë në nivelet më të larta të qeverisë për bitcoin.”

 

Sipas Berishës, në këtë situatë të vështirë, rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është zgjidhje.

 

“Kriza merr përgjigje jo me rritje çmimesh, por me menaxhim të mirë, kriza afatmesme merr përgjigje me diversifikimin e burimeve të energjisë.”

 

Berisha akuzoi ashpër qeverinë se gjatë 9 viteve nuk bëri asgjë për diversifikimin e burimeve të energjisë. Ish-kryeministri përmendi gazsjellësin “TAP”, duke vënë në dukje se nëse kjo kohë do të ishte shfrytëzuar për gazifikimin e vendit atëherë kriza energjetike do të ndihej shumë më pak.

 

“Pse kjo qeveri nuk bëri asnjë përpjekje për gazifikimin e vendit. Dhe ne jemi vend pranë gazit, pa gaz, se kështu i leverdis qeverisë.”

 

Lideri histori i së djathtës premtoi se ditën që PD do të fitojë zgjedhjet, çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset do të kthehet në nivelet ku ka qenë në vitin 2013.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re