Petrit Vasili thotë se më 20 shkurt energjia opozitare do të derdhet në shesh në protestën e organizuar nga opozita e bashkuar.

Në fjalën e tij në takimin e partive opozitare ku firmoset marrëveshja për krijimin e Federatës, Vasili theksoi se ky regjim i korruptuar kërkon një sinergji të plotë opozitare.

Sipas Vasilit, evidencat janë kritike, pasi të drejtat themelore të qytetarëve, pluralizmi politik dhe demokracia janë të rrezikuara.

“Është e qartë që përballë një regjimi antidemokratik të korruptuar kërkohet sinergji e plotë e çdo energjie opozitare, politike dhe jo vetëm. Ndaj ne sot jemi në këtë tavolinë dhe këtë dakordësi në emër të kësaj nevoje të jashtëzakonshme.

Është e qartë dhe evidencat janë kritike që shteti ligjor, të drejtat themelore të qytetarëve, pluralizmi politik dhe demokracia janë të rrezikuara në udhëkryqin më të madh si asnjëherë më parë.

Është e qartë që shqiptarët që persekutohen nga ky regjim apo nga kjo narkoregjim absolutisht janë një shumicë dërrmuese në Shqipëri që kërkon përfaqësimin politik. Sinergja politike, çdo energjie, cdo resurs opozitar është imponim për të gjithë ne.

Sot është një ditë shumë e mirë për gjithë opozitën. Të gjithë kemi këndvështrime individuale., kemi individualitete që na dallojnë, por kemi disa vija madhore që nuk lëvizin dhe janë pjesë e kësaj tavoline.

Fitorja e opozitës është fitore e shqiptarëve dhe jo e partive politike.

Edhe protesta e 20 shkurtit është moment kulmor, ku kjo energji do derdhet në shesh bashkë me mesazhin e madh të shqiptarëve”, tha Vasili.

MARREVESHJA

Duke vlerësuar me shqetësim situatën e rëndë në Ballkan, interesin tonë si shqiptarë dhe si vend anëtar i NATOs, dhe duke qenë të ndërgjegjshëm që për t`ju përgjigjur sfidave të sigurisë dhe një Shqipërie Europiane, është e nevojshme ruajtja dhe zhvillimi i një partneritet të qëndrueshëm me SHBA, BE dhe  vendet e NATOs;

Duke marrë në konsideratë situatën shumë të rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri gjatë qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës, si dhe cënimin e rëndë të sistemit tonë kushtetues, pluralizmit politik të një Republike Parlamentare, ku Qeveria kontrollon në mënyrë antidemokratike të gjitha pushtetet;

Duke konstatuar me shumë shqetësim braktisjen masive të vendit nga shqiptarët në tërësi dhe nga profesionistë, të rinj dhe të reja, për shkak të humbjes së shpresës dhe rrëshkitjes së vendit drejt një qeverisje autoritare, të bazuar në korrupsionin, krimin dhe drogën, persekutime, arrestime dhe burgosje politike të liderëve të partive opozitare;

Duke vlerësuar si jetike pjesmarrjen e diasporës në votime dhe angazhimin e tyre politik dhe qeverisës;

Duke mbajtur në konsideratë mosfunksionimin e Parlamentit dhe parlamentarizmit dhe kthimin e tij në apendiks të qeverisë, mohimin e të drejtave kushtetutese të deputetëve të opozitës në Parlament, mosrespektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe shkeljet flagrante të tyre nga qeveria, apo mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për shkak të përdorimit të shtetit për interesa politike, përdorimin e grupeve kriminale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve;

Duke qenë të ndërgjegjshëm mbi nevojën për rikthimin e pluralizmit dhe demokracisë funksionale, krijimit të shpresës dhe besimit tek qytetarët, dhe nevojën që opozita të ngrihet në përgjegjësitë e saj, për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve, përmes një politike që tejkalon debatin rreth liderëve politikë, por që bashkohet rreth ideve me interes kombëtar, mundësimin e Integrimit Europian dhe një demokraci Institucionale;

Deklarojmë sa më poshtë:

Institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.
Rikonfirmojmë vendosmërinë për t’u përballur me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, që gjatë qeverisjes së tij ka shndërruar Shqipërinë në vendin e pamundësive për shqiptarët e ndershëm dhe po detyron rininë të braktisë vendin për shkak të pamundësive ekonomike.
Shpallim:
i) “garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, përmes realizimit të një Reformë Zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, që siguron një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, si dhe
ii) “nevojën për të koordinuar përpjekjet për rikthimin e pluralizimit dhe demokracisë funksionale”,

si dy prioritete kryesore të axhendës politike të opozitës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re