Eni Vasili, në një intervistë për “Gazetën Liberale”, thotë se studiot televizive duhet t’i rikthehen debatit me të ftuar fizikë.

Pas letrës dërguar kryeministrit Vasili sqaron arsyet pse kërkon vënien përballë të të ftuarve dhe pse mendon se duhet lënë pas formati televiziv i kohës së Covid.

Moderatorja pretendon se e ka studion më të madhe se BBC dhe se AMA është tendencioze.

Intervista:

– Letra juaj e hapur, drejtuar kryeministrit, erdhi pasi AMA tërhoqi vëmendjen për praninë e më shumë se dy personave në studion e “Open”. Mendoni se tashmë nuk ka kuptim formati i përdorur gjatë krizës së Covid-19?

Ajo që mendoj është se AMA ka reaguar në disporpocion të plotë dhe tendenciozitet. Së pari, neni 13 i aktit normativ është tërësisht i paqartë gjë të cilën e kam biseduar edhe më parë me shumë kolegë.

Pra, “dy persona në studio” do të thotë dy të ftuar dhe drejtuesi i emisionit apo drejtuesi dhe një i intervistuar? Po kameramanët në studio, a numërohen në numrin e njerëzve prezentë në studio?

Sa syresh sipas AMA-s duhet të jenë në një studio?

Fakti që ky institucion nuk ka komunikuar qartë e bën reagimin e tij jo shumë të justifikuar aq më shumë kur emisione të tjerë, në televizione të tjerë, kanë javë që e shkelin direktivën me një numër personash në studio përtej udhëzimit dhe AMA nuk ka reaguar asfare. Thënë kjo, mendoj se kur shifrat e infektimeve të reja lënë vend për optimizëm dhe po liberalizohen shumë nga masat drastike edhe media duhet të jetë pjesë e paketës së lehtësimit të masave. Studiot televizive ishin të parat që u mbyllën dhe të fundit që me sa duket do të hapen. A ka të njëjtën rrezikshmëri një studio televizive me një qendër estetike apo me një klinikë stomatologjike? Mua nuk më duket.

– Çfarë mendoni se ka ndryshuar pas 9 javësh, megjithëse ende raportohen raste të reja infektimesh dhe shqiptarët vijojnë të izoluar?

Në këto 9 javë programi im “Open”, në Top Channel, ka zhvilluar një super maratonë televizive duke dyfishuar numrin e ditëve on-air. Nga e hëna në të enjte, për tri orë me radhë çdo mbrëmje – nga ora 21.00 deri në mesnatë e ndonjëherë përtej saj-, kam ndjekur çdo zhvillim në Shqipëri dhe botë me qindra lidhje direkte në të gjithë globin dhe mijëra intervista të realizuara në më shumë se 100 orë transmetim televiziv. Në këto javë kanë ndryshuar shumë gjëra. Për shembull në krahasim me javët e para ne tani kemi mjaftueshëm informacion rreth virusit dhe dimë të sillemi e të mbrohemi më mirë. Më kujtohet frika dhe paniku i javëve të para tek të gjithë ne që vazhduam punën, mënyra si përgjonim trupin tonë nëse kishte shenja të infektimit. Më kujtohet një ditë në dy apo tri javët e para, një prej bashkëpunëtorëve na tha: “Jam me temperaturë”. Sigurisht u shqetësuam të gjithë. E ndoqëm nga afër gjendjen me shpresën se ishte një alarm fals dhe ashtu rezultoi. Temperatura ishte produkt i stresit dhe i ankthit, nga infektimi. Shumë të tjerë, më pas e përjetuan njësoj derisa frika nga infektimi nuk ishte më panik, por normalitet me të cilin mësuam të bashkëjetojmë.

– Keni marrë në krahasim supermarketet, shpesh me radhë të gjata për shkak të kufizimeve të orareve, si dhe fasoneritë ne disa raste vatra infeksioni me Covid-19. Pse mendoni se studiot janë vende me rrezikshmëri të ulët infeksioni?

Së pari, sepse janë hapësira të mëdha ku nuk është aspak e vështirë të respektohet distanca e duhur, pra 1.5 deri në 2 m nga njëri-tjetri. Imagjinoni një studio televizive me të njëjtat përmasa sa një fasoneri, tek e para rrinë 5 veta brenda për 2 orë tek tjetra 500 për 8 orë. Fasoneritë janë hapur dhe studiot mbyllur. Ose le të marrim taksitë. Tashmë lëvizjet ndërqytetëse lejohen dhe numri i lejuar i personave brenda në taksi është dy nga e njëjta familje, plus shoferi sigurisht. Pra në një taksi lejohen tre persona, ndërsa në një studio televizive me qindra metra katrorë sipërfaqe tre persona është e ndaluar të rrinë. Nuk di a bën sens diçka e tillë. Që të kuptohem, unë nuk kam qenë dhe nuk jam kundër masave anti-Covid, përkundrazi mendoj se qeveria shqiptare me shifrat që ka aktualisht mund ta konsiderojë një sukses menaxhimin e pandemisë deri tani, por mendoj gjithashtu se falë këtyre shifrave ka ardhur koha për një lloj proporcionaliteti mes rrezikut dhe nevojës për çdo lloj produkti qoftë dhe atij mediatik.

Keni pasur të ftuar në emisionin tuaj, në studio mjekun Roland Xhaxho, i infektuar me Covid-19, ndërsa asnjë nga stafi juaj nuk u prek. A nuk mendoni se sa më pak të ftuar në studio, aq më pak rreziku? Apo me idenë se nuk i shmangemi dot rrezikut në përditshmëri dhe potencialisht të gjithë mund të prekemi, mendoni se masat janë të tepërta, ose edhe të pavend tashmë?

Lajmi se doktor Xhaxho rezultoi i infektuar na shokoi të gjithëve në staf. Përveç keqardhjes për gjendjen jo të mirë të doktorit gjithsekush nga ne u mundua të kujtojë episodet e 24 dhe 26 marsit, dy ditët kur doktor Xhaxho kish qenë prezent në “Open”. Sipas kalkulimeve nuk kish vend për dyshim që doktori kish qenë i infektuar ndërsa ishte në “Open”, ndaj filluam të kujtonim me njëri-tjetrin sa ishim afruar, si kishim komunikuar, a kishim prekur të njëjtat sende. Nuk ishte një situatë e thjeshtë. Mos harroni që ndërkohë që menaxhonim frikën tonë duhet të vazhdonim punën për emisionin në pritje të përgjigjes së analizave që ju morën stafit nga njësia e kujdesit shëndetësor vendor sipas të gjitha procedurave. Nuk e fsheh që isha mjaft e shqetësuar për disa persona të teknikës, të cilët duke montuar makineritë që mjeku solli në studio kishin pasur me të kontakt më të afërt se të tjerët, edhe pse gjithmonë të pajisur me maska e dorashka e duke respektuar distancat. Për fat, gjithçka ndodhi gjatë një fundjave dhe analizat dolën një të diel në mëngjes. Ishte një lehtësim i madh që të gjithë ishim negativë. Jam e bindur që shumë nga ne e kanë pritur përgjigjen pa vënë gjumë në sy.

Ishte një përjetim i çuditshëm momenti kur mjekët të veshur si astronautë erdhën në shtëpi, për të marrë tamponin. Epidemiologët e ISHP-së dhe qendrave vendore bëjnë një punë heroike, plot rrezik e sakrificë.

– Megjithëse jeta prej 9 marsit ka qenë e paralizuar, thuajse në çdo sferë gazetarët kanë qenë aktivë, në vijën e frontit të luftës me Covid dhe ju e keni realizuar emisionin, pa ndërprerje, me lidhje Skype. Përse kjo kërkesë për të hapur studiot televizive?

Unë nuk po propozoj të kthehemi në normalitet të plotë, por të paktën të kemi mundësinë e krijimit të një përballjeje apo “dueli” idesh . Pra, të paktën dy persona në studio plus drejtuesi I emisionit. Kjo në mendimin tim nuk sjell rrezikshmëri pasi janë të gjitha mundësitë për të respektuar distancat dhe për të realizuar një produkt televiziv më cilësor. Dje mbrëma po shikoja BBC me një studio shumë më të vogël se e imja ishin katër persona të ulur në distancë nga njëri-tjetri që zhvillonin një debat për botën post-Covid, po kështu edhe televizionet franceze. Edhe në Itali, ku masat kanë qenë më drastike prezenca e dy të ftuarve në studio është e lejuar. Kjo nuk është një kërkesë që unë e bëj thjesht për veten time, por shpreh një shqetësim e kërkesë edhe të shumë kolegëve që hasin të njëjtat vështirësi. Kjo do të ndihmonte të riktheheshin on-air edhe disa programe që janë mbyllur për shkak të formulës televizive.

Mjekë, shkencëtarë, sociologë, ekonomistë apo edhe politikanë, janë shprehur se bota nuk do të jetë më siç e kemi njohur para Covid. A e keni menduar se kjo do të thotë ndryshim edhe në mënyrën e të bërit televizion?

Patjetër, kjo është një botë e re që po e eksplorojmë të gjithë bashkë. Gjithmonë e më shumë do t’i drejtohemi teknologjisë dhe distancat fizike do jenë, gjithmonë e më të rëndësishme por edhe kjo do të dojë kohën e saj të investimit e konceptimit, si në çdo sektor.

– Ju e shihni jo fizibël modelin me të ftuar në lidhje direkte?

Nuk ka lidhje me fizibilitetin, por me disa mundësi teknike të cilat jo gjithmonë janë optimale. Për shembull, një lidhje me internet jo gjithmonë arrihet të realizohet në perfeksion pasi varet nga shumë faktorë. Kemi pasur disa raste të tilla, kur i kemi humbur lidhjet për shkak të cilësisë së dobët. Imagjinoni sa e vështirë është të kuptosh një debat ku zëri është i dixhitaluzar, vjen me shkëputje, etj.

Shqetësimi që keni ngritur ju, është më shumë teknik apo mendoni se është audienca ajo që nuk përshtatet me këtë mënyrë të re të realizimit të një talk sho?

Unë mendoj që audienca ka qenë maksimale gjatë këtyre nëntë javëve dhe vëmendja e publikut ka qenë e plotë. Por publiku ka qenë i përgatitur për një lloj sakrificë, për çdo produkt edhe atë televiziv. Nuk di sa është i gatshëm të sakrifikojë për një kohë të gjatë duke pranuar një produkt të përshtatur. Përpara se të vijë ky moment, unë dua të sigurohem që i kemi eksploruar mirë të gjitha mundësitë që kemi në respekt, sigurisht të integritetit shëndetësor të çdokujt, stafit apo të ftuarve në një program televiziv.

Letra e hapur për Ramën: Çlironi studiot televizive

I nderuar zoti Kryeministër! Të hënën e ardhshme bëhen plot 9 javë nga 9 marsi, dita kur në Shqipëri u zbuluan dy rastet e para me Co!vid-19. Këto 9 javë të gjata sa 9 muaj, gjeneruan realitete të reja për shumëkënd nga ne, realitete prej të cilave ndoshta nuk do shpëtojmë për një kohë të gjatë. Nuk do ndahemi dot shpejt as nga frika se një xhest i shpenguar mund të na sëmurë apo se një përqafim mund te jetë një mallkim. Në këto 50 ditë e më shumë, mësuam të sakrifikojmë ndryshe, të mos i trembemi frikës tonë e t’i mbijetojmë pasigurisë.

Falënderimet dhe përulja e plotë, nuk do mjaftojë asnjëherë për mjekët, infermierët, sanitarët dhe forcat e rendit, por këto javë të jashtëzakonshme eksperience njerëzore të betejës për jetën, nuk do ishin fituar pa mediat dhe studiot televizive, të cilat i bënë bashkë të gjithë në ditët më të errëta, ku vdekja dhe terrori prej saj, bënin hije mbi kokat tona. Së bashku mësuam nga e para si të lajmë duart, si të teshtijmë, por mbi të gjitha si t’i japim forcë njëri tjetrit. Këtë e bënë qindra shqiptarë të jashtëzakonshëm, mjekë por jo vetëm, anembanë botës të cilët vrapuan në dritaret mbi “banakë”, të ndanin informacion, eksperiencë dhe solidaritet. E bënë doktorët e infektivit që na shpjeguan me durim gjithçka dinin e mësonin dhe ata vetë ditë pas dite, e bënë ata gazetarë që nuk u tërhoqën në skuta të ngrohta shtëpish, por qëndruan në detyrë plot dinjitet dhe shqetësim për veten dhe të tjerët.

E ndërsa ekonomia po rihapet e lëvizja po liberalizohet, mbajtja në izolim e studiove televizive, nuk i shërben më askujt. Një gazetar në studio është njësoj i rrezikuar me një apo me tre persona prezentë aty. Mua personalisht do të kishte mjaftuar për të më infektuar mjeku Roland Xhaxho i cili sigurisht nuk e dinte që ishte i virusuar kur erdhi në Open. Fakti tregoi që doktor Xhaxho nuk na infektoi, as mua dhe as stafin e Open i cili pati kontakte me të ato ditë. Studiot janë hapësira të mëdha të cilat ia kalojnë çdo supermarketi ku gëlojnë njerëzit, janë po aq të mëdha në metra katrorë sa një fasoneri, me ndryshimin e vetëm se brenda nuk ka më shumë se 5 -6 njerëz dhe jo 600. Madje studio e Open është thuajse po aq e madhe sa salla e Parlamentit!

Nuk është një kërkesë luksi dhe as një shkujdesje, sepse jam e përgjegjshme për rreziqet për veten dhe të tjerët. Por shërbimi që mund t’i bëjmë opinionit dhe debatit publik duke rifilluar jetën normale në studio, është më i madh se preokupimi për veten. Teknologjia na ndihmoi në kohën e emergjencës, por vështirësitë e lidhjeve me internet, e kanë lodhur me të drejtë teleshikuesin. Dritaret e vogla të skype ose zoom, jo gjithmonë arrijnë teknikisht të përcjellin mesazhin tek teleshikuesit dhe koha e përqendrimit shkurtohet gjithmonë e më shumë. Publikut duhet t’i kthehet e drejta e debatit publik dhe studiove televizive duhet t’u kthehet liria!

AMA i tërheq vëmendjen emisionit ‘Open’

Nga evidentimi i rasteve më të fundit në programet “Open” në televizionin Top Channel dhe “Klanifornia” në televizionin Klan, për prezencë të më shumë se dy personave në studio, AMA falënderon për mirëkuptimin autoritetin shëndetësor për mosaplikimin këtë herë të gjobave të parashikuara për këto shkelje të Aktit-Normativ në kushtet e pandemisë.

AMA i ka kërkuar autoritetit shëndetësor të marrë në konsideratë gjendjen e vështirë financiare dhe e ka siguruar atë se do të përcjellë tek të gjithë operatorët audiovizivë shqetësimin e krijuar nga dy rastet e lartpërmendura, duke vlerësuar lart punën e kontributin e tyre publik në përballimin me sukses të situatës së pandemisë, por edhe kërkuar prej tyre respektimin rigoroz të udhëzimeve përkatëse.

Nga monitorimet e realizuara për përmbajtjet e transmetuara është vërejtur se nga televizionet po zbatohen masat e parashikuara për mbrojtjen e stafit që punon në mjediset brenda dhe jashtë redaksive, por ky proces duhet të vijojë me rigorozitet dhe përgjegjësi maksimale deri në përfundim të procesit dhe rikthimin në normalitet.

Sikundër dhe në njoftimet e mëhershme që AMA ka drejtuar, subjektet audio dhe audiovizive duhet të respektojnë vendimet dhe udhëzimet e bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Shqipëri.

Duke e konsideruar parësore mbrojtjen e shëndetit të stafit të angazhuar dhe bashkëpunëtorëve, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, AMA tërheq vëmendjen se për rastet e konstatuara do të nisin procedimet administrative. /Gazeta Liberale

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re