Arber Çekaj është kapur thuajse një ditë me sekuestrimin e 1 ton kokaine në Spanjë dhe arrestimin e Arjan Ndocajt dhe Julian Gjokajt. Kjo “rastësi” ka shtuar dyshimet se ose ishte një aksion i koordinuar ose Çekaj ka nisur bashkëpunimin. 

Zv.ministri i Brendshëm, Besford Lamallari pranon se 3 ditë pas kapjes së gjysmë ton kokainë pati zhvillime.

“Nga momenti që është realizuar sekuestrimi i sasisë rekord të kokainës, tre orë më pas u realizua kontaktimi i autoriteteve ndërkombëtare, pasi kishte dyshime se administratori i kompanisë ku u gjet droga ndodhej në Gjermani.

U kryen një sërë operacionesh të fshehta që të bëhej lokalizimi i shtetasit Arbër Çekaj dhe paraditen e djeshme u bë i mundur edhe arrestimi i tij në Dyseldorf.

Dyshohet edhe për persona të tjerë, të cilët ndodhen në vende të tjera. Ka patur ekspertë nga policia shqiptare që janë nisur në Gjermani, dhe kanë bashkëpunuar me autoritetet atje.

Së fundmi ata janë kthyer në Shqipëri, pas bashkëpunimit. Jemi shumë të interesuar që këto hetime të shkojnë sa më larg, dhe të arrihet rezultate konkrete”, tha Lamallari  në News 24.

I pyetur se si dhe kur do bëhet ekstradimi i Arbër Çekajt, zv.ministri tha se po bëhen procedurat që kjo të ndodhë sa më shpejt.

“Ligji është shumë i qartë. Ne po shkëmbejmë informacione me palën gjermane dhe është kërkuar që kjo kërkesë për ekstradim të paraqitet sa më shpejt në mënyrë diplomatike. Synojmë që në një periudhë sa më të shpejtë të bëhet i mundur edhe ekstradimi. Aktualisht nuk mund të flasim për afate kohore konkrete, sepse varet nga ecuria e procedurave”, tha ai.

Arbër Çekaj u gjet i fshehur në një banesë dykatëshe dhe gjatë arrestimit mësohet se nuk bëri rezistencë. Ai kishte ndryshuar identitetin nga Arbër Çekaj në Arbër Jansen, duke marrë mbiemrin e gruas me origjinë daneze. 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re