Çmimi i ujit në muajt në vijim mund të shtrenjtohet për konsumatorët familjarë, për shkak të kostove të shtuara për sektorin e Ujësjellës Kanalizime prej çmimeve të energjisë elektrike.

 

Që prej 1 janarit të vitit 2022, shoqëritë e Ujësjellës Kanalizime paguajnë 18.8 lekë/kilovatorë, nga 11.5 lekë/kilovatorë që paguanin para krizës energjetike.

 

Ky çmim më i shtrenjtë, siç shprehet Enti Rregullator i Ujit në raportin vjetor, duhet të reflektohet në rritje të tarifave për shërbimet e ofruara.

 

 

ENTI RREGULLATOR I UJIT

“Ndryshimet në kostot e energjisë elektrike të shoqërive UK, nuk kanë ndikuar në rritjen e kërkesave për aplikim tarifor, për shkak edhe të procesit të riorganizimit të sektorit, por pritet që pas përfundimit të procedurave të ketë një fluks të aplikimeve për tarifa të rregulluara për shoqëritë rajonale të reja të formuara.”

 

Me këtë argument, gjatë vitit të shkuar Ujësjellës Kanalizime Elbasan ka aplikuar për tarifa të reja për klientët familjarë, nga 38 lekë/m3, në 42 lekë/m3. Pas shqyrtimit të kërkesës, Enti Rregullator i Ujit miratoi tarifën prej 40 lekë/m3 për konsumatorët familjarë, tarifë e cila ka hyrë në fuqi që prej janarit të këtij viti.

 

ENTI RREGULLATOR I UJIT

“UK Elbasan ka aplikuar në qershor 2022, për të miratuar tarifa të unifikuara për të gjithë zonën pasi është bashkuar me Elbasanin fshat, që më parë ka qenë shoqëri më vete. Nga ana tjetër, duke qenë se në këtë shoqëri 90% e volumit të ujit të prodhuar është me ngritje mekanike, aplikimi i ri ka si synim mbulimin e kostove të energjisë elektrike pas rritjes së çmimit/njësi nga Enti Rregullator i Energjisë.”

 

Sipas Entit Rregullator, Ujësjellës Kanalizimet kanë ende nevojë për t’u mbështetur me subvencione nga qeveria, për të arritur në eficencën e energjisë elektrike, për të mbuluar të gjitha kostot dhe për të shlyer borxhet që këto shoqëri kanë ndaj OSHEE.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re