Në Rumani ka shpërthyer epidemia e fruthit, ku shumë fëmijë  që kanë qenë të pavaksinuar, janë infektuar.

E ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, mjekja Sonila Brati kërkon nga prindërit që të marrin masat për të vegjlit e tyre dhe t’i vaksinojnë, teksa shton se fruthi si sëmundje ngjitëse prek edhe të rriturit.

“Vaksina e fruthit është shumë e rëndësishme. Në Rumani ka shpërthyer fruthi dhe është shpallur një epidemi. Fruthi është një sëmundje ngjitës dhe të infektojë fëmijë dhe të rritur ka një probabilitet shumë të lartë.

Vaksinimi është një problem. Ka prindër që janë skeptikë, por ne e japim me të madhe që vaksina e fruthit është e sigurt dhe e studiuar ndër vite. Është një vaksinë që bëhet në dy doza nga 9-12 muaj.

Fruthi është i përhapur në popullatë dhe nëse është e përhapur bëhet para kësaj grupmoshe. Dhe doza e dyrë bëhet kur je 5 vjeç dhe fiton imunitet gjatë gjithë jetës”, tha Brati.

Mjekja më tej hedh poshtë mitin, se nëse doza e parë e vaksinës bëhet para se fëmija të mbushë 1-vjeç, fëmija bëhet autik.

“Edhe në 2018 patëm një rikthim të fruthit që erdhi nga jashtë. Që prej asaj periudhe, fatmirësisht ne nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me fruth. Me prindërit është një luftë e gjatë.10 vjeçarin e fundit, prindërit refuzojnë ta bëjnë vaksinën sepse kanë frikën e autizmit, por kjo nuk ka lidhje sepse është e studiuar ndër vite.

Një fëmijë që është autik, ka lindur i tillë dhe duket pa bërë 1 vjeç. Nuk di të ketë raste që një fëmijë që bën vaksinën e fruthit shndërrohet në autik. Prindërit kanë një frikë dhe mospranim të një fëmije që ka probleme dhe e kanë të vështrë ta pranojnë që fëmija i tyre është ndryshe nga fëmijët e tjerë. Por unë jam e sigurt që autizmi nuk ka asnjë lidhje me vaksinimin”, shtoi Brati.

Teksa e cilësoi fruthin si një problematikë të madhe, mjekja pediatre kërkon që të tregohet kujdes i shtuar ndaj fëmijëve, ndonëse sipas saj që prej vitit 2018, në Shqipëri nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar deri më tani./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re