Në Shishtavec, patatja që shkulet në vjeshtë groposet në kavaleta nën tokë për ta ruajtur deri në pranverë kur kavaletat hapen dhe prodhimi i vitit të shkuar nxirret për t’a shitur. Por mbyllja e restoranteve për shkak të epidemisë së COVID-19 dhe masat e tjera shtrënguese në lëvizje e kanë ulur kërkesën dhe çmimin, ndërsa grosistët që mblidhnin zakonisht pataten e zonës janë “zhdukur”.

“Gropat e patateve të Shishtavecit, (janë bërë) si varret Ilire,” thotë Hamza Seferi, mësues në pension dhe kultivues i patates, duke ironizuar për kavaletat e pahapura për shkak të mungesës së tregut.

Megjithatë Hamzai bashkë me bashkëshorten, që të dy mesues në pension dhe djalin Alimani, i cili ka mbaruar fakultetin për informatikë por është i papunë, kanë dalë në parcelën e tyre në anë të rrugës për të mbjellë pataten e re.

Patatja është kultura kryesore bujqësorë që mbillet në këtë zonë mbi 950 metër mbi nivelin e detit dhe një nga të paktat mundësi ekonomike që kanë banorët e zonës. Shishtraveci njihet në të gjithë Shqipërinë për pataten e tij dhe siç thonë banorët ajo shitet pa u mbyllur ende marsi. Por sivjet kavaletat janë të mbyllura ndërsa po i vjen fundi prillit.

Administratori i Njësisë Administrative të Shishtavecit, Klodian Grisha i tha BIRN se në të gjithë njësinë, që përfshin veç Shishtavecit edhe Novosejin, Turajn e Kollovozin mund të ishin 500 ton patate të mbetura stok.

“Problem kryesor për Shishtavecin, Novosejin, Turajt e Kollovozin në këtë kohë pandemie është shitja e patates, ku bllokimi i qarkullimit, por edhe i tregjeve e pamundëson atë,” tha Grisha.

“Vetëm fshati Shishtavec ka të pa shitur rreth 150 ton patate. Ndersa si Njësi Administrative mund të shkojë deri në 500 tonë,” shtoi ai.

Patatet stok

Kjo zonë në kohën e regjimit komunist ka furnizuar të gjithë vendin me patate nga Kukësi deri në Sarandë. Patatja e Shishtavecit është e veçantë për shijen e saj dhe shitet kryesisht në restorante, por edhe në tregjet e shumicës në Tiranë, Shkodër e Durrës. Zakonisht tregtarët e shumicës vijnë dhe e blejnë atë direkt nga kavaletat e fshatarëve, por sivjet kjo nuk ka qenë e mundur.

Hamza Seferi tregon se vitin e kaluar deri me 25 mars ishte shitur i gjithë prodhimi i patates nga ana e fermerëve të Shishtavecit.

“Grosistët, kryesisht ish-banorë të kësaj zone që janë vendosur në Tiranë apo Durrës vinin dhe e merrnin prodhimin në vend, madje me çmim të volitshëm deri në 65 lekë kilogrami,” tha ai.

“Por mbyllja si pasojë e COVID-19 ka bërë që të bllokohet shitja,” shtoi Seferi.

Megjithatë, Hamzai, e shoqja dhe djali kanë dalë sërish në arë të mbjellin për vitin e ardhshëm.

“Nuk mund ta lëmë tokën djerrë,” thotë ai, ndërsa tregon se nëse prodhimi mbetet sërish stok ata rrezikojnë të mos mbulojnë kostot e shitjes.

Kostoja e mbjelljes për një dynym me patate është 69 mijë lekë, në të cilën përfshihet punimi i tokës, lesimi, frezimi, transporti i plehut dhe fara.

“Nëse prodhimi nuk shitet, apo shitet me çmim të ulët jemi me humbje”, theksoi Seferi..

Të njëjtin shqetësim kanë edhe fermërë të tjerë të Shishtavecit. Misin Grisha thotë se në kavaletën e tij ka rreth 5 ton me patate.

“Vitin e kaluar prodhimi ka qenë i ishitur komplet, ndersa sivjet ende nuk e kam hapur gropën”, thotë Grisha.

Ai tha se tregtarët e shumicës nuk vinin dot për shkak të bllokimit të qarkullimit dhe se në një rast kur dikush mori një furgon me patate nuk u lejua nga policia t’i shiste në Shkodër.

Edhe prodhues të tjerë të patates në Shishtavec si Shaban Murati, Lirie Bela e Sefedin Murati, që thonë se kanë të gjithë së bashku rreth 30 ton patate të pashitura në gropë, tregojnë se nuk kanë gjetur dot treg për prodhimin.

Kjo e rëndon shumë situatën në fshat, që përndryshe mund të presë për ndihmë vetëm prej të rinjve emigrantë, kryesisht në Angli.

Mbyllja e kufijve me Kosovën, bllokon ekonominë lokale

Përndryshe nga Shishtaveci fshatrat fqinj të Borjes, Oreshkës dhe Cernalave, kanë problem mbylljen e kufirit me Kosovën. Administratori Grisha tha se nga këto fshatra ka shumë të punësuar në anën tjetër të kufirit – kryesisht në fshatrat e Gorës në ndërtim dhe në mbledhje bimësh medicinale. Po ashtu fshatrat që kanë vështirësi transporti me Kukësin, patën zgjidhur furnizmin me miell dhe mallra të tjera në Kosovë.

Kufiri me Kosovën që është vetëm dy kilometër nga fshati Shishtavec është mbyllur që nga 11 marsi për shkak të pandemisë. Sipas banorëve mbyllja e kufirit ka rritur çmimet e miellit për bukë dhe ushqimit për blegtorinë.

“Nëse një kuintal hime (ushqim për blektorinë) në depot në kufi kushtonte 2 mijë lekë, tani kushton 2400 lekë, pasi jemi detyruar që të shkojmë t’i marrin në Kukës rreth 30 kilometër larg,” ankohet Hamza Seferi, i cili shton se rritje ka pësuar edhe çmimi i mielllit për bukë.

“Në kufi më parë e merrnim me 4900 lekë kuintalin, ndërsa tani e marrim me 5600 lekë dhe në ndonjë rast edhe me 6 mijë lekë,” shpjegoi ai.

Megjithatë, më keq mbylljen e kufijve e përjetojnë banorët e Borjes. Që prej fillimit të viteve 90’ ata jetojnë me të ardhurat nga emigracioni në Maqedoninë e Veriut dhe pas viteve 2000 edhe në Kosovë.

Fshati, ashtu si Shishtaveci, Oreshka, Cernalevan dhe fshatrat e Njësisë Administrative të Zapodit, njihen që prej dy vjetësh si minoritet bullgar në Shqipëri. Por e vetmja ndihmë nga Bullgaria për zonën ka qenë siç thonë banorët një furgon për trasportimin e fëmijëve në shkollë që është prishur dhe pasaportat që u kanë mundësuar të rinjve të largohen në Britani.

Përndryshe banorët kanë gjetur punë dhe mbështetje pak kilometra më tutje në fshatrat e minoritetit Gorës dhe Sharrit në Kosovë. Pas ndërtimit para dy vjetësh të rrugës që lidh fshatin me Glloboçicën dhe qytezën e Sharrit/Dragashit, fshati Borje thuajse i ka shkëputur lidhjet me Kukësin, kjo edhe për faktin së në këtë anë rruga është tejet e amortizuar dhe gati e pakalueshme.

Kështu rreth 200 banorë të këtij fshati janë të punësuar në mbledhjen e bimëve medicinale në të dy anët e kufirit. Bimët mblidhen dhe shiten kryesisht në Kosovë. Po ashtu shumë banorë të kësaj zone janë të punësuar në sektorin e ndërtimit në Kosovë.

“Gjithçka fshati Borje e ka të varur nga Kosova. Në çdo degë të ekonomisë i kemi të ardhurat nga Kosova,” thotë kryeplaku i Borjes Festim Çollaku.

“Kryesorja është se 50-60% e popullsisë të aftë për punë deri në 55 vjeç e poshtë mbledhin bimë medicinale si në zonën e Borjes, por edhe në Malet e Sharrit në Kosovë dhe tregtimi i tyre bëhet po atje,” shtoi ai.

Çollaku thotë se tani fshatarët mbledhin aguriçe dhe thuajse të gjithë janë të punësuar në mbledhjen e bimës, por për shkak të situatës ata nuk punojnë dot. Mbyllja e kufirit me Kosovën ka bllokuar sipas tij edhe punësimin në të zezë në sektorin e ndërtimit në fshatrat e Gorës dhe Opojës.

“Fshati Borje ka rezidentë 1000 banorë, pa futur në këtë numër ato që janë pajisur me pasaporta Bullgare,” tha Çollaku, i cili nënvizoi se momentalisht e gjithë ekonomia është e paralizuar.

“Po konsumojmë ato pak kursime që na kanë mbetur,” përfundoi ai./Reporter.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re