
Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në afërsi të kryqëzimit të Plasës, ku për shkak të erës së fortë një kamion është përmbysur në rrugë pasi ka përplasur një mjet tjetër që po lëvizte nga Kapshtica në drejtim të Korçës.
Sipas policisë, kamioni me tonazh të rëndë po udhëtonte nga Korça drejt Kapshticës, pak kilometra pas fshatit Belorta.
Për shkak të erës së fortë, kamioni është përmbysur, duke rrezikuar jetën e drejtuesit të mjetit të vogël që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Megjithëse aksidenti ishte i frikshëm, të dy drejtuesit e mjeteve kanë shpëtuar pa lëndime serioze.
Përmbysja e kamionit bllokoi qarkullimin në të dyja anët e rrugës nacionale Korçë-Kapshticë për më shumë se 40 minuta. Aktualisht, lëvizja në këtë aks është rikthyer në normalitet.



