Presidenti turk iu kundërvu apeleve të Perëndimit për lirimin e të akuzuarit për terrorizëm Kavala duke kërcënuar me dëbim ambasadorët, por pas deklaratës së tyre që nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë dhe do të respektojnë Konventën e Vjenës, ai e tërhoqi vendimin e tij. Erdogan tha në Ankara, se ambasadorët janë tërhequr nga qëndrimet e tyre dhe në të ardhmen do të jenë më të kujdesshëm. Para kësaj deklarate të Erdoganit, ambasadorët e prekur patën postuar në Twitter një deklaratë, sipas së cilës ata i përmbahen Konventës së Vjenës për të mos ndëryhrë në punët e brendshme të vendit ku kryejnë shërbimin. Ata thanë: “Qëllimi jonë nuk ishte të krijojmë krizë”.
Përfaqësia e SHBA-së në Turqi të hënën pasdite (25.10) publikoi në Twitter një deklaratë për respektimin e Konventës së Vjenës. “Synimi ynë nuk ishte të shkaktonim një krizë”, u shpreh më tej Erdogan. Ne kishim për qëllim të mbronim të drejtat e sovranitetit të Turqisë. Kreu i shtetit Erdogan në fundjavë shkaktoi një tronditje kur deklaroi, se dhjetë ambasadorë perëndimorë do t’i shpallë persona të padëshiruar – nga protestat kundër deklaratës së tyre të solidaritetit me sipërmarrësin dhe mbështetësin e kulturës perëndimore Osman Kavala, që mbahet në burg. Me shpalljen person non-grata zakonisht pason dëbimi i personave nga vendi. Të prekur nga ky qëndrim ishin ndër të tjerë ambasadori gjerman Jürgen Schulz dhe kolegët e tij nga Franca, SHBA-ja dhe shtatë vende të tjera.
64-vjeçari Kavala ndodhet në arrest hetimor në Stamboll që nga viti 2017, ndonëse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka udhëzuar më 2019 lirimin e tij. Kavala menaxhon një nga shtëpitë botuese më të mëdha në Turqi dhe angazhohet me organizatën e tij Anadolu Kültür për dialogun me grupet etnike si dhe në konfliktin me kurdët apo me Armeninë. Ai është gjithashtu themeluesi i degës turke të fondacionit Shoqëria e Hapur të filantropit nga SHBA George Soros, i cili është në shënjestër prej shumë politikanëve anti majtist në botë.
