Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ta njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit është lajmërues i operacioneve të reja kundër botës islame, shkruan (AA).
“Vendimi i fundit për Kudsin është lajmërues i operacioneve të reja kundër botës islame. Nëse muslimanët nuk reagojnë mjaftueshëm brenda kornizave ligjore, më besoni se do të pasojë pjesa tjetër. Ndërkaq, suksesi që do ta arrijmë në këtë çështje do të jetë një pikë kthese për muslimanët”, tha Erdoğan në cerominë e inagurimit të linjës së metrosë Üsküdar-Ümraniye në Stamboll.
“Për këtë arsye ne do të mblidhemi si Turqi dhe popull i Turqisë dhe më pas do të mbledhim të gjithë vëllezërit tanë. Do të lidhemi me njëri-tjetrin dhe me shpresë tek Allahu do të ecim drejt fitores”, shtoi presidenti turk.
Më tej, Erdoğan bëri të ditur se sot në Kuds ndodhin ngacmime, përdhunime, persekutime dhe padrejtësi, duke shtuar se për këtë arsye, sot ekziston nevoja më shumë se asnjëherë për t’u lidhur dhe konsultuar.
“Ne fjalën Kuds e kemi ngulitur në zemrat dhe mendjet tona me një kuptim që tejkalon pozitën gjeografike dhe kufijtë fizikë”, tha presidenti Erdoğan, duke bërë të ditur se përpjekjet për ta bërë Kudsin kryeqytet të një shteti të terrorit është situatë që nuk mund të pranohet nga muslimanët dhe nga asnjë sistem tjetër i besimit.
Erdoğan potencoi se ashtu siç nuk ka asnjë alternativë tjetër për Meken dhe Medinen, njashtu edhe për Kudsin nuk ekziston alternativë.
Ai tha se Kudsi tashmë është një provim që duhet të kalohet me sukses nga çdo individ musliman dhe çdo vend musliman.
“Askush nuk u jep muslimanëve të drejtën që u takon. Jemi të detyruar që të drejtën tonë ta marrim vetë. Në Bosnjë, Irak, Siri, Arakan muslimanët kishin të drejtë por fituesit ishin ata që posedonin gjithmonë forcën. Ka ardhur koha për të ndryshuar këtë rregull të prishur”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re