Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të premten se qyteti Afrin në pjesën veriore të Sirisë duhet të pastrohet nga organizata separatiste terroriste PYD/YPG, fraksion i PKK-së.
Kryetari i shtetit turk dhe njëherësh i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) mbajti një fjalim gjatë takimit me kryetarët e degëve të rretheve në selinë e forcës së tij politike, në Ankara.
Erdogan theksoi se Turqia do ta pastrojë Afrinin nga terroristët dhe do të jetë e pranishme atje si element dominues në pikat e vrojtimit.
“Duhet të nxjerrim organizatën terroriste PKK/PYD jashtë qytetit Afrin të Sirisë. Jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Shumë probleme, të cilat mund të zgjidheshin me lehtësi brenda aleancës, janë tërhequr në qorrsokak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.
Pasi tërhoqi vëmendjen se SHBA-ja ka zgjedhur bashkëpunimin me organizatat terroriste pavarësisht propozimit të Turqisë për operacion të përbashkët në Raka dhe Menbixh, Erdogan tha se Uashingtoni u ka premtuar që PYD/YPG-ja nuk do të qëndronte në Menbixh e megjithatë nuk e ka mbajtur fjalën, por tashmë nuk do të bëhen pre e së njëjtës loje në Afrin.
“Jemi të vetëdijshëm për lojën që do të inskenojë SHBA-ja, e cila ka minuar operacionet e Turqisë kundër ISIS-it dhe PYD-së”, shtoi lideri turk.
Ndër të tjera, Erdogan u ndal mbi fuqitë që fshihen apo qëndrojnë pas terrorizmit.
“ISIS-i është ushtri vrasësish e kriminelësh, e cila është formuar nga ata që sot shtiren sikur luftojnë kundër saj. Themeluesit e ISIS-it janë njëherësh edhe ideatorët e organizatës separatiste PKK/PYD. Ata që i japin lustër PYD-së, janë gjithashtu inkurajuesit e administratës rajonale kurde të Irakut për të shpallur pavarësinë. S’duhet të harrojmë se ata rritën në mbrojtjen dhe patronazhin e tyre po ashtu organizatën terroriste gyleniste (FETO). Shohim që janë në heshtje të thellë kur ISIS-i dhe PYD-ja janë kapur dorë për dorë në Raka. Askush të mos përpiqet të na i tregojë Forcat Demokratike Siriane (SDF) si një institucion demokratik, pasi demokratik ka vetëm emrin dhe në thelb është organizatë terroriste”, nënvizoi Presidenti Erdogan.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re