Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan në një fjalim të mbajtur në takimin e 40 të krerëve lokalë në rezidencën presidenciale në Ankara deklaroi se hapësira ajrore e Turqisë drejt veriut të Irakut është mbyllur dhe se nga Erbili nuk do të ketë fluturim drejt asnjë vendi, shkruajnë mediet e huaja.
Erdoğan në Ankara ka folur edhe për zhvillimet aktuale dhe për luftën kundër organizatës terroriste FETO.
“Këta tradhtarë dështuan pavarësisht të gjithë qëndrimit të tyre vrastar, brutal dhe të ulët. Tani ata po përgjigjen para drejtësisë. Në paditë ndaj të cilave dalngadalë po merren rezultatet e vendimeve, çdokush që ka qenë fajtor po dënohet sipas shkallës së tradhtisë. Edhe ata që janë arratisur jashtë vendit nuk do të harrohen. Ne do ti ndjekim deri kur ata të marrin dënimin e merituar”, tha Erdoğan.
“Gjithë jetën nuk do të jenë të qetë asnjëri prej tyre që ka bërë tradhti ndaj Turqisë dhe popullit turk, kudo që ata të jenë brenda apo jashtë vendit. Ata që dëshironin të merrnin nën kontroll vendin tonë, ata që bënë një veprim të tillë të ulët për të robëruar popullin tonë, edhe ai sharlatani për hir të të cilit ata shkatërruan jetën e tyre në këtë botë dhe botën tjetër, edhe ata që mbajnë litarin e tij në duart e tyre nuk do të mund të shpëtojnë”, tha Erdoğan.
Presidenti Erdoğan tha se Turqisë i parashtrohet pyetje si: “Çfarë pune keni në Siri, në Irak? Çfarë pune keni në Ballkan, në Kaukaz, në Azinë e Mesme, në Afrikën e Veriut?”.
“Përgjigjja jonë për këta që parashtrojnë pyetje të pamatura është se nuk e dinë historinë. Të gjitha pozitat gjeografike në lindje dhe veri të Ankarasë janë një anë e zemrës sonë dhe të gjitha pozitat gjeografike në perëndim dhe jug janë ana tjetër e zemrës sonë”, tha Erdoğan.
Në lidhje me situatën në Administratën rajonale kurde të Irakut pasi ka parashtruar pyetjen se “Përse Turqia sot i mbyll pikat kufitare dhe hapësirën ajrore veriut të Irakut ndërkohë që e ka ndihmuar dhe e ka vërejtur me butësi?”, Erdoğan tha se “Përgjigjen e kësaj pyetjeje fillimisht duhet ta japë Administrata rajonale kurde e Irakut. Sepse këtë çështje ata e kanë sjellë në këtë pikë dhe jo ne”.
Ai tha se do të përgjigjen para historisë ata që vepruan me një nxitim që ka aromën e një histerie dhe oportunizmi duke mos marrë parasysh strukturën e rajonit që përbëhet nga identitete të ndryshme.
“Ngrihen e thonë se ‘Kirkuku është i yni‘. Me çfarë të drejte thonë ‘Kirkuku është i yni‘. A keni ndonjë histori në Kirkuk? Çfarë pune keni në Kirkuk. Uluni e qëndroni në rajonin ku është Administrata rajonale kurde e Irakut. E dini se kush ka të drejtën e tij në atë rajon. Fatkeqësisht këta njerëz atje tentuan t’i edukojnë me tirani. Për këtë arsye qeveria rajonale është përgjegjëse për çdo gjakderdhje në Irak”.
“PYD/YPG janë organizata terroriste që shfrytëzojnë vëllezërit tanë kurdë”
“PYD/YPG janë organizata terroriste që fatkeqësisht shfrytëzojnë vëllezërit tanë kurdë të sinqertë. Këto janë degë të PKK-së. Në disa raste thonë ‘Unë jam kurd, por mos i tregoni YPG-së, mos i tregoni PYD-së‘. Vëllezër kurdë, më vjen keq por nëse ju mbroni këta terroristë atëherë rrugët tona ndahen këtu”, tha Erdoğan në lidhje me organizatën terroriste PYD/YPG.
Ndër të tjera në fjalën e tij Erdoğan tha se “Tashmë nuk do të hyjë asnjë ndihmë nga lartë, as ushqime, veshje, ujë etj. Tashmë hapësira ajrore është mbyllur. Tashmë nga Erbili nuk do të ketë fluturim drejt asnjë vendi, sepse ne jemi hapësira më e rëndësishme. Ne ndihmat tona me ushqime, ilaçe apo produkte të tjera do t’ia dërgojmë qeverisë qendrore, dhe ajo do të shpërndajë ndihmat e nevojshme për popullin e Irakut të veriut. Sigurisht që ndjeshmëria jonë njerëzore do të vazhdojë por dëshirojmë që populli të shohë se çfarë i shkaktoi Administrata kurde. Dëshirojmë që edhe populli t’i japë atyre mësimin e merituar”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re