Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, përsëriti gatishmërinë e Ankarasë për të vazhduar të bëjë pjesën e saj për paqen në Ukrainë.

Sipas një deklarate nga Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë, presidenti Erdoğan i tha homologut të tij rus se Turqia është gati të luajë një rol në një mekanizëm të mundshëm vëzhgimi pas takimit të parë me përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së në Stamboll.

Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se janë të nevojshëm hapa për të minimizuar efektet negative të luftës dhe për të rivendosur një bazë për paqen.

Duke folur edhe për zhvillimet në Siri, ku vazhdojnë sulmet e grupit terrorist YPG/PKK ndaj civilëve dhe Turqisë fqinje, presidenti turk theksoi se rajonet përgjatë kufirit të çliruara nga terroristët duhet të bëhen të sigurta.

Turqia kufizohet me Sirinë dhe Irakun në jug të saj dhe është angazhuar për të eliminuar bazat ekzistuese terroriste dhe për të parandaluar krijimin e bazave të reja atje, që do të kërcënonin sigurinë e saj kombëtare dhe sigurinë e vendasve përtej kufijve të saj.

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur disa operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit me Sirinë, me qëllim parandalimin e formimit të një korridori terrorist dhe me synimin për të ofruar një mjedis të sigurt për kthimin e personave të zhvendosur. Operacionet turke janë: “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e radhitur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega e PKK-së në Siri.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re