Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka realizuar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ku kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale, duke përfshirë Malësinë e Karabakut dhe Sirinë.

Drejtoria Turke e Komunikimit njoftoi se Erdoğan në bisedën telefonike tha se natën e kaluar u mor një hap i duhur drejt një zgjidhjeje të përhershme të mosmarrëveshjes mbi Malësinë e Karabakut.

Ai tha se kjo “mundësi e rëndësishme” nuk duhet të humbet dhe se ajo duhet të përdoret për të siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Presidenti Erdoğan theksoi se pala armene duhet të respektojë armëpushimin dhe angazhimet e theksuara në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga Azerbajxhani dhe Armenia.

Ai tha se Turqia së bashku me Rusinë do të monitorojnë armëpushimin përmes një qendre të përbashkët që do të formohet në një territor të çliruar nga pushtimi i Armenisë.

Presidenti turk po ashtu theksoi rëndësinë e kthimit të azerbajxhanasve të zhvendosur në shtëpitë e tyre në Malësinë e Karabakut dhe hapjen e një korridori midis Azerbajxhanit dhe Nakhchivanit.

Duke theksuar se Malësia e Karabakut tregoi rëndësinë e bashkëpunimit turko-rus për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve rajonale, Erdoğan tha se e njëjta frymë duhet të ushtrohet në Siri, ku ata mund të krijojnë një mekanizëm të ngjashëm.

Mbrëmë, Putin njoftoi se dy ish-republikat sovjetike nënshkruan një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Malësinë e Karabakut.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur një fitore për vendin e tij. Ai theksoi se suksesi ushtarak i Bakut i ka mundësuar vendit të fitojë një epërsi të lartë për t’i dhënë fund pushtimit tre-dekadësh të territorit të Azerbajxhanit.

Lidershipi turk po ashtu e ka mirëpritur armëpushimin, duke e quajtur atë një “fitore të madhe” për Azerbajxhanin.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator.

Armenia në mënyrë të përsëritur për mbi 40 ditë sulmoi civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Përveç qyteteve dhe fshatrave të tjerë, çlirimi nga Baku i qytetit strategjik Shusha sinjalizoi se fitorja është e afërt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re