Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në një deklaratë nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës thuhet se në bisedë u diskutuan hapat që do të zhvillojnë marrëdhëniet Turqi-Rusi si dhe çështjet rajonale.

Erdoğan në bisedë theksoi se ekspertët turq dhe rusë mund të bashkohen me kolegët e tyre azerbajxhanas për efikasitetin e linjave të transportit tokësor dhe hekurudhor për të cilat vazhdojnë punimet për rindërtim në Malësinë e Karabakut pas marrëveshjes së 11 janarit.

“Qendra e përbashkët në Agdam ka kryer me sukses detyrën për kontrollin dhe vëzhgimin e armëpushimit”, tha Erdoğan duke shtuar se për ruajtjen e armëpushimit duhet të tregohen përpjekje të përbashkëta në të gjitha çështjet.

Pasi ka përmendur se zgjidhja e çështjes së Sirisë në kohën më të shkurtër është në interesin e përbashkët, presidenti Erdoğan tërhoqi vëmendjen se edhe në Libi mundësia për paqe dhe stabilitet nuk duhet të humbet.